Në Kosovë po ndodh diçka shumë më e rrezikshme sesa një krizë e zakonshme politike. Duke pasur aq shumë bllokadat, zvarritje, seanca të dështuara parlamentare dhe shkelje afateshkushtetuese, ajo që dikur do të konsiderohej alarm shtetëror tash po trajtohet si pjesë normale e jetës politike. Jokushtetutshmëria po rrezikon të shndërrohet në normalitet.
Afati për konstituimin e Kuvendit ka kaluar dhe procesi vazhdon të mbetet i bllokuar. Kjo nuk është më një mosmarrëveshje ndërmjet partive, por një problem i shtetit. Kushtetuta nuk është një dokument që respektohet vetëm kur u përshtatet partive politike. As afatet kushtetuese nuk janë rekomandime dhe orientime politike që mund të shtyhen sa herë që liderët nuk arrijnë marrëveshje. Ato janë rregulla të detyrueshme. Por,Kosova ka hyrë në një fazë tjetër: afati kalon, shteti vazhdon të funksionojë me institucione në detyrë dhe përgjegjësia politike shpërndahet aq shumë sa në fund askush nuk ndihet përgjegjës.
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka përgjegjësi për ta nxjerrë vendin nga kriza. Nuk mjafton të thuhet se dikush tjetër nuk po bashkëpunon e as të përsëritet se mandati i qytetarëve duhet respektuar. Mandati nuk është vetëm e drejtë për të qeverisur, por edhe përgjegjësi për të krijuar institucionet.Por, Albin Kurti po luan me kohën. Dhe me kushtetutën.
Takimet me Lumir Abdixhikun janë dëshmia më e mirë e kësaj loje politike. Në takimin e fundit u tha se kanë diskutuar për profilin dhe kriteret e presidentit të ardhshëm, duke paralajmëruar se në takime tjera do të diskutohen edhe emra konkretë.
Në pamje të parë kjo duket si një përpjekje për kompromis. Por,kompromisi po kërkohet vetëm pasi është humbur kohë e çmuar dhe vendi ka kaluar në një situatë me shkelje afateshkushtetuese.
Abdixhiku e ka bërë të qartë se LDK’ja është e gatshme të ndihmojë në zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja. Nuk është vështirë të kuptohet arsyeja: partia nuk është në një pozitë të mirë. Kurti, ndërkaq, duket të ketë një llogari tjetër.
Nëse Kuvendi nuk konstituohet, nëse qeveria e re nuk krijohet dhe nëse më pas procesi i zgjedhjes së presidentit dështon, vendi përfundon sërish në zgjedhje. Mund të krijohet përshtypja që Kurti po kërkon marrëveshje për presidentin, por njëkohësisht çdo ditë e humbur e afron vendin drejt zgjedhjeve. Në politikë koha nuk është vetëm kohë, por edhe instrument. Këtë instrument Kurti po e përdor për shtyrjen e zgjedhjeve deri në fund të dhjetorit – atëherë kur diaspora vjen në pushim dhe ai ka shpresë që të fitojë “krejt”.
* * *
Kosova nuk mund të mbahet peng nga kalkulimet elektorale të askujt – as nga frika e LDK’së prej zgjedhjeve të reja, as nga ambicia e Vetëvendosjes për t’i përdorur zgjedhjet si mënyrë që ta rrisë më tej pushtetin. Ka kaluar një vit e gjysmë me kriza, bllokada dhe institucione që nuk arrijnë të funksionojnë me kapacitet të plotë. Qytetarët janë ata që e paguajnë faturën e kësaj papërgjegjësie. Ata presin vendime, politika zhvillimore, investime, reforma, shërbime më të mira dhe institucione që funksionojnë. Në vend të tyre, marrin seanca të dështuara, konferenca për media, takime pa marrëveshje dhe deklarata për “vullnet të mirë”. Kjo nuk është qeverisje.
Më e keqja është se shoqëria po fillon të mësohet me këtësituatë. Një shtet mund të përballojë një krizë, mund të përballojë edhe një bllokadë të përkohshme. Por nuk mund të ndërtojë demokraci të shëndoshë nëse shkelja e rregullave bëhet rutinë. Kur afatet kushtetuese kalojnë dhe askush nuk shqetësohet, problemi nuk është më vetëm politik. Është kulturë e re e pushtetit.
Albin Kurti, si lider i partisë fituese, nuk mund të sillet sikur kjo krizë është vetëm problem i kundërshtarëve të tij. Ai ka përgjegjësinë kryesore për ta zhbllokuar procesin. Fituesi i zgjedhjeve duhet të jetë edhe i pari që kërkon zgjidhje, jo i pari që kalkulon se kur i leverdis më shumë të ketë zgjedhje të reja.
Por, edhe opozita duhet ta kuptojë se bllokimi nuk mund të jetë strategji politike pa fund. Kosova nuk është pronë e asnjë partie. Është e qytetarëve.
Nëse Kurti dhe Abdixhiku po diskutojnë seriozisht për një president të ri, le ta zgjedhin shpejt. Nëse nuk ekziston marrëveshje, atëherë le të thuhet hapur. Vendi nuk mund të mbahet pafund në këtë gjendje pezull. Një shtet nuk mund të qeveriset me afate të shtyra, me institucione të përkohshme dhe me shpresën se qytetarët do të harrojnë. Papërgjegjësia dhe arroganca politike herëdokur do të marrin faturën që e meritojnë.

