Avokati Arianit Koci ka njoftuar se është liruar Dukagjin Maxhuni, i cili ishte arrestuar nga autoritetet serbe më 12 gusht, gjatë kalimit kufitar në Batrovc, në drejtim të Kroacisë.
Koci ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në Facebook, duke thënë se Maxhuni fillimisht ishte ndaluar për verifikim, ndërsa më pas ishte transferuar në Beograd, ku i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nën pretendime për krime lufte.
“Më 12 gusht, autoritetet serbe e arrestuan në Batrovc, gjatë kalimit nga Serbia në Kroaci. Fillimisht e ndaluan për verifikim. Pastaj e transferuan në Beograd dhe i caktuan 30 ditë paraburgim, nën pretendime për krime lufte.
Që atë ditë kam thënë se Dukagjini nuk është fajtor dhe se pretendimet ndaj tij nuk qëndrojnë.
Po kthehet te familja e vet.
Ka edhe qytetarë të tjerë tanë që po mbahen padrejtësisht. Mundësitë i kam të kufizuara, por do ta bëj edhe të pamundurën në aspektin profesional, për lirimin e tyre.
Kudo dhe kurdo që një qytetar i yni ka nevojë për ndihmë, do të angazhohem për të.
Ky është misioni im”, ka shkruar Koci.

