Kombëtarja e Kosovës ka fituar një tjetër talent premtues. Futbollisti 20-vjeçar, Lutfi Dalipi, ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Lajmi është zyrtarizuar të enjten mbrëma nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Dalipi, i lindur në Zvicër dhe me prejardhje nga Lugina e Preshevës, ka zbuluar se vendimi nuk ishte i lehtë, por në fund ka dëgjuar zemrën.
“Në fillim ishte e vështirë të vendosja mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi kam lindur në Zvicër. Por me zemër e zgjodha Kosovën, sepse i kisha premtuar babait se një ditë do të luaja për Kosovën ose Shqipërinë. Jam shumë i lumtur dhe i bindur se Kosova do të bëhet një ekip shumë i fortë”, ka deklaruar Dalipi për FFK-në.
Talenti shqiptar po kalon një formë të shkëlqyer në futbollin zviceran. Në 13 ndeshjet e para të sezonit, ai ka realizuar pesë gola dhe ka dhuruar nëntë asistime.
Dalipi aktualisht aktivizohet te Vaduzi, ku është i huazuar nga Young Boysi.
Ardhja e tij shihet si një përforcim premtues për të ardhmen e “Dardanëve”.
Burimi: Dukagjini





