Zgjedhja e Presidentes shmang krizën e re – odat ekonomike kërkojnë reforma, investime dhe vendimmarrje të shpejtë

Zgjedhja e Presidentes shmang krizën e re – odat ekonomike kërkojnë reforma, investime dhe vendimmarrje të shpejtë
Mesnatën mes 6 dhe 7 tetorit 2026, me 81 vota të deputetëve të Kuvendit, Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës, duke i dhënë fund një periudhe të zgjatur të pasigurisë institucionale dhe politike në vend. Zgjedhja e presidentes së re është mirëpritur nga përfaqësues të komunitetit të biznesit, të cilët kanë kërkuar […]

Mesnatën mes 6 dhe 7 tetorit 2026, me 81 vota të deputetëve të Kuvendit, Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës, duke i dhënë fund një periudhe të zgjatur të pasigurisë institucionale dhe politike në vend.

Zgjedhja e presidentes së re është mirëpritur nga përfaqësues të komunitetit të biznesit, të cilët kanë kërkuar që përfundimi i krizës institucionale të pasohet me vendimmarrje konkrete për ekonominë, investimet, sundimin e ligjit dhe integrimin euroatlantik.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka uruar Presidenten e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula për detyrën e re.

“Urimet më të përzemërta për një zonjë të nderuar, me bagazh të çmuar intelektual. Me Presidenten Shiroka-Pula kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë edhe gjatë kohës sa ajo drejtonte Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Uroj që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen, në funksion të zhvillimit dhe interesit të vendit. Ju priftë e mbara, Presidente”, ka thënë Rafuna.

Edhe nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpresin kompletimin e arkitekturës institucionale të Republikës së Kosovës, përmes zgjedhjes së Justina Shiroka Pulës Presidente të Republikës.

Sipas një njoftimi për media thuhet se me institucionet e Kosovës tashmë plotësisht të konstituuara, fokusi duhet të drejtohet fuqishëm drejt prioriteteve ekonomike dhe strategjike të vendit.

“Oda Amerikane bën thirrje për një dinamikë të re në reformat e qeverisjes ekonomike, përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes dhe investimeve, fuqizimin e sundimit të ligjit, si dhe ndërmarrjen e masave që rrisin konkurrueshmërinë dhe mundësojnë rritje të qëndrueshme ekonomike”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim funksionaliteti i plotë institucional duhet gjithashtu t’i japë shtysë të re përshpejtimit të integrimit euroatlantik të Kosovës dhe thellimit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë strategjikë.

“Oda Amerikane mbetet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet e vendit në avancimin e reformave, fuqizimin e sektorit privat dhe kontributin për prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës”.

Ndërkaq, edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë mirëpret tejkalimin e krizës institucionale dhe zgjedhjen e Justina Shiroka-Pula në pozitën e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Në njoftim bëhet e ditur se DHTIK i uron Presidentes së re të Republikës së Kosovës, duke i dëshiruar që gjatë mandatit të saj të kontribuojë në forcimin e institucioneve, stabilitetin e vendit dhe zhvillimin e mëtejshëm ekonomik e social të Kosovës.

“Dhoma kishte bërë thirrje të vazhdueshme ndaj të gjithë spektrit politik që të angazhohej për tejkalimin e situatës së krijuar dhe shmangien e një cikli të ri zgjedhor, i cili do të mund të sillte pasiguri të mëtejshme dhe të ndikonte në gjendjen ekonomike e sociale të vendit”.

Me tejkalimin e kësaj situate, siç thuhet në njoftim DHTIK kërkon nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të angazhohen maksimalisht në adresimin e problemeve të akumuluara për një kohë të gjatë, veçanërisht atyre që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, klimën e të bërit biznes dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Stabiliteti institucional duhet të shoqërohet me vendimmarrje të shpejtë dhe konkrete për çështjet që presin zgjidhje, duke krijuar një mjedis më të qëndrueshëm dhe më të favorshëm për investime, punësim dhe zhvillim ekonomik. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë do të vazhdojë të japë kontributin e saj në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, përfaqësimit të interesave të komunitetit të biznesit dhe ndërtimit të një klime më të favorshme për bizneset dhe investitorët”.

Kosova kaloi njërën nga sfidat më të rëndësishme të krizës politike të viteve të fundit. Vendi ishte afër një situate të paqartë, me tensione të brendshme, pasiguri për të ardhmen politike dhe, mbi të gjitha, me një gjuhë polarizuese dhe të rrezikshme, në rast se vendi do të shkonte në zgjedhje të reja.

Çfarë rrezikonte Kosova nëse do të shkonte në zgjedhje?

Përtej aspektit politik, kriza institucionale kishte edhe një dimension të drejtpërdrejtë ekonomik.

Nëse vendi do të shkonte sërish në zgjedhje, në rrezik do të viheshin edhe fondet e rëndësishme nga Plani i Rritjes. Plot 131.4 milionë euro, të lidhura me 22 hapa të këtij plani, kanë afat përfundimtar 31 dhjetorin e këtij viti. Pa një Kuvend funksional dhe pa një Qeveri me kapacitet të plotë, Kosova rrezikonte të humbiste afro 90 milionë euro.

Për këtë arsye, moszgjedhja e presidentit mund ta vinte në rrezik zbatimin e një pjese të madhe të reformave që lidhen me Planin e Rritjes.

Vendi do të përballej edhe me mungesë të projekteve madhore, rrezikim të buxhetit dhe vonesa në projekte të mëdha që nuk do të mund të zbatoheshin. Po ashtu, në një periudhë me tensione, trazira dhe pasiguri politike, do të ishte vështirë të pritej ndonjë investim i madh.

Në anën tjetër, e rëndësishme ishte edhe fakti që partitë politike, në këtë rast LVV-ja dhe PDK-ja, arritën marrëveshje pa ndonjë këshillë apo ndërhyrje ndërkombëtare.

Kjo tregon se Kosova mundet, por duhet të jetë më e qartë dhe më e përgjegjshme në vendimmarrjen politike. /Telegrafi/

Lexo edhe

Tuchel: Anglia ka lënë pas zhgënjimin e Botërorit

Tuchel: Anglia ka lënë pas zhgënjimin e Botërorit

Përgatitjet finale për inaugurimin e presidentes së re

Përgatitjet finale për inaugurimin e presidentes së re

Publikoi letër mirënjohje për familjen Hila – Vesa Smolica i thotë të gjitha (VIDEO)

Publikoi letër mirënjohje për familjen Hila – Vesa Smolica i thotë të gjitha (VIDEO)