Një kontroll rutinor i Policisë në Prishtinë ka përfunduar me zbulimin e substancës së dyshuar narkotike te një 20-vjeçar, i cili ndodhej në një veturë së bashku me tre persona të tjerë. Droga është gjetur në dy vende të ndryshme, në xhepin e jakës së tij dhe në një kanaqe pijeje, mëson Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur të hënën, më 9 nëntor, rreth orës 22:00, në rrugën “Ali Vitija” në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, zyrtarët policorë gjatë patrullimit kanë vërejtur një automjet të ndaluar, brenda të cilit ndodheshin katër persona.
Pas identifikimit dhe kontrollit të tyre, te njëri prej të rinjve është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari është Rinor Mehmeti, rreth 20-vjeçar, të cilit substanca i është gjetur në xhepin e jakës dhe në një kanaqe pijeje.
Sasia e përgjithshme e marihuanës së dyshuar ka rezultuar të peshojë 3.35 gramë, ndërsa substanca është sekuestruar si provë materiale.
20-vjeçari është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit.
Me udhëzim të Prokurorisë, ndaj tij është iniciuar procedura penale për veprën “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




