Ekspertët kanë arritur të zbulojnë kodin katërshkronjësh të një dryni të lashtë, të gjetur në rrënojat e një anijeje pranë brigjeve të Uellsit, duke zgjidhur kështu një mister që kishte mbetur i pazbuluar për rreth 400 vjet.

Dryni prej bronzi, rreth katër shekuj i vjetër, u zbulua në vitin 1999 nga kërkuesi i metaleve Peter Hughes, në rërën pranë Margamit, në Port Talbot, transmeton Telegrafi.
Ai është pjesë e një koleksioni më të madh objektesh të çmuara që i përkasin anijes “Ann Francis”, e cila u përfshi nga një stuhi më 28 dhjetor 1583, gjatë kthimit nga Spanja. Ngarkesa e anijes përfundoi nën rërë, ku qëndroi e fshehur për shekuj me radhë.
Ekspertët e muzeut përdorën teknologjinë e skanimit me tomografi të kompjuterizuar (CT) për të ekzaminuar mekanizmin e brendshëm të drynit, për të identifikuar kombinimin e saktë të shkronjave dhe për të zgjidhur misterin.
Peter Hughes, nga Maesteg, tha se dryni ishte njëri nga qindra artefaktet që kishte zbuluar gjatë dekadave të kërkimeve në plazhin Morfa.
Objekti u gjet pranë një koleksioni monedhash argjendi spanjolle dhe dy peshoreve për matjen e monedhave. Sipas ekspertëve, dryni mund të ketë shërbyer për të mbrojtur këto objekte ose për të mbyllur një sënduk ku ruheshin sende të vlefshme, si dokumente apo tekstile, të cilat nuk kanë mbijetuar deri në ditët e sotme.
“Gjithçka ndodhi rastësisht, gjatë një dite pushimi. Po ecja përgjatë plazhit me detektorin e metaleve dhe gjeta një monedhë. Aty nisi një udhëtim që zgjati 21 vjet”, tregoi 69-vjeçari.
Ai tha se ishte “jashtëzakonisht i lumtur” që ekipi i ekspertëve nga muzeu Amgueddfa Cymru dhe Universiteti i Cardiffit arriti ta zbulonte kodin, pasi vetë kishte kaluar vite duke u përpjekur ta zgjidhte enigmën.
“U përpoqa ta hapja për rreth 20 vjet. Provoja të lëvizja unazat dhe të gjeja kombinimin e duhur, por pa sukses. Me ndihmën e teknologjisë moderne, arritëm të zgjidhnim atë që mund të quhet vërtet një kod i stilit të Da Vinçit”, tha ai.
“Për mua, ishte sikur të hapja Arkën e Besëlidhjes. Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe vërtet i emocionuar”, shtoi Hughes.
Zbulimi i kodit, një enigmë e ndërlikuar
Dr. David Williams, bashkëpunëtor kërkimor në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit të Cardiffit, tha se fillimisht kishte qenë skeptik kur iu kërkua të përdorte pajisjen e skanimit për të zgjidhur misterin.
“Është një sfidë, sepse pajisja që kemi nuk është projektuar posaçërisht për këtë qëllim”, shpjegoi ai.
Sipas Williamsit, bëhet fjalë për skanim me mikro-CT, një teknologji e ngjashme me atë që përdoret në spitale, por e përshtatur për objekte shumë më të vogla.
Ai tha se ishte gjithmonë i gatshëm të përballej me sfida dhe të zgjidhte enigma të tilla.
“Bëmë skanimin e parë për të parë nëse mund të dallonim diçka dhe u befasuam kur arritëm të shihnim shkronjat. Skanimi i dytë dështoi plotësisht, por në të tretin provuam një qasje tjetër dhe arritëm ta zbulonim kodin. U mahnita që ia dolëm”, tha ai.
Hughes ia dorëzoi koleksionin e artefakteve muzeut Amgueddfa Cymru në vitin 2017. Koleksioni, me drynin në qendër, u ekspozua në Muzeun Swansea Waterfront në korrik të vitit 2026.
Kuratori i lartë Alastair Willis e cilësoi zbulimin e kodit “ANCE” si të jashtëzakonshëm.
Sipas tij, zgjidhja ishte veçanërisht e ndërlikuar, pasi dryni kishte katër unaza të veçanta, secila me nga gjashtë shkronja. Kjo krijonte gjithsej 1.296 kombinime të mundshme, ndërsa shkronjat duhej të rreshtoheshin saktësisht me mekanizmin e mbylljes në pjesën e sipërme.
“Për ta bërë edhe më të ndërlikuar, në skajet e drynit kishte shkronja të tjera që nuk lëviznin dhe që nuk kishin lidhje me kodin. Duket sikur ishin vendosur për të hutuar hajdutët e mundshëm”, tha Willis.
Kolegia e tij, kuratorja e lartë Siân Iles, tha se dryni ishte ruajtur në gjendje të shkëlqyer dhe ofron një pasqyrë të rëndësishme për periudhën kur ishte përdorur.
“Ky është një shembull i mrekullueshëm i një dryni që ende funksionon ashtu siç do të funksiononte qindra vjet më parë”, tha ajo.
Sipas Iles, fakti që dryni u gjet shumë pranë rrënojave të anijes “Ann Francis” dhe në mesin e objekteve të tjera të koleksionit ndihmon në përcaktimin më të saktë të periudhës së tij.
Ajo shtoi se dryni ishte në gjendje shumë më të mirë se ekzemplarët e tjerë që kishte parë, të cilët zakonisht janë të ndryshkur ose të dëmtuar në pjesë të ndryshme.
“Është një objekt i vogël, prandaj ka të ngjarë të ketë shërbyer për të mbyllur një sënduk ose një kuti të vogël. Nuk e dimë çfarë kishte brenda dhe kjo është pjesë e historisë. Ka gjëra që ndoshta nuk do t’i mësojmë kurrë, por ky dry ishte i rëndësishëm për personin që e dinte kodin”, u shpreh ajo.
Çfarë duhet të bëni nëse zbuloni një thesar?
Në Mbretërinë e Bashkuar, përcaktimi i asaj që konsiderohet thesar bëhet në bazë të Ligjit për Thesaret të vitit 1996.
Në Uells, personat që zbulojnë një objekt që mund të klasifikohet si thesar duhet ta raportojnë atë te zyrtari përgjegjës për gjetjet arkeologjike (Finds Liaison Officer) brenda 14 ditësh nga zbulimi ose nga momenti kur kuptojnë se objekti mund të ketë vlerë arkeologjike dhe të përmbushë kriteret ligjore për t’u cilësuar thesar.
Detyrimi për raportim vlen vetëm për objektet që përkufizohen zyrtarisht si thesar. Mosraportimi mund të ndëshkohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Rregulla të ndryshme zbatohen në Skoci dhe Irlandën e Veriut.
Pas raportimit, zyrtari përgjegjës ose një kurator muzeu kontakton personin që e ka zbuluar objektin për të marrë informacione se si dhe ku është bërë zbulimi. Më pas përgatitet një raport, ndërsa çështja shqyrtohet edhe nga një gjykatës hetues.
Zyrtari përgjegjës ndihmon gjithashtu në vlerësimin e objekteve nga ekspertët, për të përcaktuar nëse ato përmbushin kriteret ligjore të Ligjit për Thesaret të vitit 1996.
Nëse një muze shpreh interes për ta marrë objektin, Komiteti për Vlerësimin e Thesareve kërkon që ai të vlerësohet nga një ekspert. Më pas, komiteti i rekomandon sekretarit të shtetit përgjegjës për Kulturën, Median dhe Sportin vlerën e objektit dhe shumën që duhet t’u ndahet personave që kanë të drejtë të përfitojnë nga shpërblimi për zbulimin. /Telegrafi/




