VLEN nuk do zgjedhje por zgjidhje. Sipas tyre, programi dhe premtimet e qytetarëve duhet realizuar, ndërsa ata që kanë premtuar zgjedhje çdo tre muaj që nga formimi i kësaj Qeverie, sipas Izet Mexhitit duhet të arsyetohen para trupit të tyre votues.

“Jemi të interesuar për zgjidhje dhe jo zgjedhje. Qytetarëve nuk ju duhen zgjedhje kur ka një shumicë absolute në Kuvend, kemi programin para nesh, detyrat dhe premtimet që duhet t’i realizojmë”, deklaroi Izet Mexhiti, Bashkëkryetar i VLEN-it.
Datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare të kushtëzuar nga opozita nuk ka. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se informacionin për parakushte të tilla nuk e posedon.
“Nuk kam informata se opozita kërkon datë për zgjedhje të parakohshme si parakusht për mbështetjen e ligjeve”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Tashmë disa muaj fliten data të ndryshme për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat sipas eksponentëve nga opozita duhet të mbahen në prill, qershor ose më së voni në shtator. Kryeministri Mickoski ditë më parë deklaroi se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në prill të vitit 2028, ndërsa në fund të dhjetorit 2027 do të formohet Qeveria Teknike, e fundit e këtij formati.





