Një ushtar i ushtrisë amerikane është arrestuar në Britaninë e Madhe, nën dyshimin për spiunazh në favor të Rusisë, bëjnë të ditur autoritetet britanike kundër terrorizmit.

Ushtaraku 41-vjeçar, me gradë të lartë, u arrestua të martën në afërsi të Gloucesterit, transmeton klankosova.tv
Policia Kundër Terrorizmit në Londër njoftoi se arrestimi u krye në bazë të neneve 1 dhe 3 të Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023 (National Security Act 2023).
Neni 1 i këtij ligji lidhet me marrjen ose zbulimin e informacioneve të mbrojtura, ndërsa neni 3 parashikon veprën e ndihmës ndaj një shërbimi të huaj të inteligjencës.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, në një deklaratë lidhur me rastin, tha:
“Ky arrestim i rëndësishëm lidhet me akuza për spiunazh, çështje që përbën shqetësim maksimal për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë”.
Sipas BBC, zëvendëskomisionerja ndihmëse Vicki Evans, nga Policia Kundër Terrorizmit në Londër, e cilësoi arrestimin si “të rëndësishëm”.
“Akuzat janë serioze dhe hetimi ynë është ende në zhvillim të plotë”, deklaroi ajo.
Ushtari, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, aktualisht mbahet në paraburgim në një stacion policor në Londër.




