Koopman: Tirana ka shkallën e zbatimit 90%.

Në diskutimin e zhvilluar në Bruksel mbi planin e rritjes, drejtori për zgjerimin Gert Jan Koopman tha se shtetet ballkanike kanë shfrytëzuar vetëm 673.6 milionë euro nga paketa financiare në total prej 6 miliardë eurosh për këtë rajon.
Shqipëria renditet si performuesja më e mirë në realizimin e refomave duke siguruar mbi 212.8 milionë euro nga rreth 922 milionë euro të planifikuara në total.
Maqedonia e Veriut ka perfituar tashmë 142.1 milionë €, Serbia : 167.5 milionë €, Mali i Zi : 91.2 milionë € dhe Kosova : 61.8 milionë €.
“Mali i Zi dhe Shqipëria kanë arritur një shkallë zbatimi prej afro 90% të reformave të kërkuara nga plani i rritjes. Kjo nuk është për t’u habitur, pasi pasqyron përparimin e tyre në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kohët e fundit Maqedonia e Veriut ka përparuar me hapa të shpejtë ndaj sipas vlerësimeve tona, do të kalojë shifrën 50%. Serbia ka arritur një shkallë zbatimi prej rreth 42%. Kosova e ratifikoi kornizën e nevojshme ligjore vetëm në pranverën e këtij viti. Për Bosnjë-Hercegovinën, ekziston rreziku real i humbjes së rreth 300 milionë eurove”, tha drejtori për zgjerimin në BE, Gert Jan Koopman.
Aktualisht Brukseli po vlerëson mundësinë e ofrimit të një fondi shtesë për tre shtetet që kryesojnë Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në këmbim të reformave shtesë.
“Shtetet kandidate duhet që të vijojnë zbatimin e reformave thelbësore sidomos në sistemin e drejtësisë. Nëse reformat nuk realizohen brenda kësaj periudhe, atëherë fondet mund t’u rialokohen shteteve të tjera më të suksesshme. Aktualisht po vlerësojmë mundësinë e ofrimit të një fondi shtesë për tre shtetet që kryesojnë Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sigurisht në këmbim të reformave shtesë. Në këtë botë, asgjë nuk është falas”, tha Koopman.
Me planin e Rritjes Bashkimi Evropian synon që të dyfishojë ekonomitë e shteteve ballkanike gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
Disbursimi i fondeve do të vijojë që të jetë i kushtëzuar nga përmbushja e reformave të integrimit ndërsa në rastin e Serbisë edhe nga përparimi në dialogun me Kosovën./Tv Klan




