Ukraina ka goditur të premten një qendër të madhe të të dhënave, në pronësi të kompanisë ruse të teknologjisë Yandex, duke e nxjerrë pjesërisht jashtë funksionit. Ky është sulmi i dytë i këtij lloji brenda dy ditësh, në kuadër të zgjerimit të objektivave ukrainase brenda territorit rus, pasi Moska kishte goditur qendrat e të dhënave në Ukrainë.
Yandex, kompani e përfshirë gjerësisht në zhvillimin e inteligjencës artificiale në Rusi dhe e cilësuar shpesh si “Google i Rusisë”, njoftoi se qendra e saj e të dhënave në rajonin e Kalugës, në jugperëndim të Moskës, ishte goditur nga dronët ukrainas dhe ishte vënë pjesërisht jashtë funksionit, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Prodhuesi ukrainas i armëve, Firepoint, deklaroi se Kievi kishte përdorur dronët sulmues FP-1 për të goditur atë që e cilësoi si qendrën më të madhe të të dhënave të Yandex. Sipas kompanisë, disa nga modulet e saj janë dëmtuar aq rëndë sa janë nxjerrë plotësisht jashtë funksionit.
Një ditë më parë, një tjetër sulm ukrainas kishte ndërprerë funksionimin e qendrës së të dhënave të Yandex në Sasovo, në juglindje të Moskës. Aty ndodhen dy nga tre superkompjuterët që përdoren për zhvillimin e modelit të inteligjencës artificiale të kompanisë.
Yandex tha se po përballej me një sfidë të vështirë për të ruajtur vazhdimësinë e shërbimeve të saj, të cilat përdoren çdo ditë nga miliona rusë për navigim, muzikë, filma, porosi ushqimi dhe shërbime të tjera.
Kompania ofron gjithashtu shërbime të kompjuterizimit në re (cloud computing), nga të cilat varen shumë biznese.
Burimi: Dukagjini




