Një turist britanik 35-vjeçar është gjetur i vdekur në një tendë të improvizuar pranë një ferme në afërsi të Canicattini Bagni, në provincën e Sirakuzës, Sicili.
Benjamin Braithwaite, nga Leeds, kishte marrë pjesë në një takim të grupit të njohur si “Radical Faeries”, një komunitet që zhvillon rituale alternative dhe, sipas raportimeve, edhe përdorim të drogës.
Sipas një ish-anëtari të grupit, i cili ka folur në mënyrë anonime, Braithwaite mund të ketë qenë viktimë e një sulmi seksual nën ndikimin e drogës, por kjo mbetet vetëm një pretendim dhe nuk është konfirmuar nga autoritetet, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv.
Në vendin ku u gjet trupi, hetuesit kanë zbuluar disa lëndime, si dhe drogë dhe objekte të lidhura me rituale. Një prej tyre përshkruhet si një figurë gjysmë njeri e gjysmë cjap.
Takimi ku kishte marrë pjesë Braithwaite ishte përshkruar nga organizatorët si një tubim gjithëpërfshirës i personave queer për të shënuar ekuinoksin e vjeshtës.
Karabinierët italianë po hetojnë vdekjen dhe, deri tani, nuk e kanë cilësuar atë si vrasje. Shkaqet dhe rrethanat e vdekjes mbeten nën hetim.




