Një 32-vjeçar shqiptar ka përfunduar në prangat e Policisë italiane, nën dyshimin se ishte i përfshirë në dy vjedhje në banesa, në zonat Albano Sant’Alessandro dhe Torre de’ Roveri, në Bergamo.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 29 tetorit, gjatë një operacioni kontrolli të territorit, të ndërmarrë nga karabinierët me qëllim parandalimin e vjedhjeve në banesa. Sipas mediave italiane, dy bashkëpunëtorët e tij kanë arritur të arratisen nëpër fusha, duke iu shmangur arrestimit.
Karabinierët kishin identifikuar një automjet të dyshimtë në Albano Sant’Alessandro dhe e kishin ndjekur deri në Torre de’ Roveri. Pasi ndaluan pranë një fushe sportive, drejtuesi i automjetit mori në makinë dy persona që vinin nga zonat bujqësore përreth.
Lëvizjet e tyre ngritën dyshime te efektivët, të cilët kërkuan përforcime nga patrulla e Radiomobile. Në momentin kur panë zyrtarët policorë, të tre personat braktisën automjetin dhe u larguan me vrap drejt fushave.
Dy prej tyre arritën të arratiseshin, ndërsa 32-vjeçari shqiptar u kap pas një përleshjeje me karabinierët. Sipas këtyre të fundit, ai ende mbante të veshura doreza të zeza pune dhe, gjatë rezistencës ndaj arrestimit, shkaktoi rrëzimin dhe plagosjen e njërit prej efektivëve.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi mbi 1 mijë euro para të gatshme, disa bizhuteri ari dhe sende të tjera me vlerë.
Po ashtu, u sekuestruan edhe disa mjete që dyshohet se mund të përdoreshin për vjedhje në banesa, përfshirë kaçavida, pincë prerëse, një majë trapan të modifikuar, dy elektrikë dore, një fleksibël dhe një radio marrëse-dhënëse.
32-vjeçari u arrestua dhe u dërgua në burgun e Bergamos. Pas seancës për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimit, gjyqtari i hetimeve paraprake vendosi që ai të vazhdojë të qëndrojë në arrest shtëpiak, nën mbikëqyrjen e byzylykut elektronik.
Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të identifikuar vendndodhjen e dy bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët vazhdojnë të jenë në kërkim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




