Disa zakone që na duken krejtësisht të padëmshme mund të ndikojnë në mënyrën si na shohin të tjerët. Dhe shpesh, pikërisht njerëzit më të afërt janë ata që i vërejnë të parët

Shumica prej nesh besojnë se janë njerëz të arsyeshëm, të kuptueshëm dhe të lehtë për të komunikuar. Megjithatë, disa sjellje të përditshme mund t’i lodhin të tjerët, edhe kur nuk kemi aspak qëllim t’i shqetësojmë.
Ndërprerja e bashkëbiseduesit, këmbëngulja për të pasur gjithmonë të drejtë apo dhënia e këshillave që askush nuk i ka kërkuar janë vetëm disa shembuj.
Portali TheZenParent ka veçuar 20 shenja që mund të tregojnë se marrëdhënia me ne është më e vështirë sesa mendojmë. Shumë prej këtyre sjelljeve fshihen pas bindjes se po veprojmë me qëllime të mira.
Ndërprisni të tjerët dhe dëshironi gjithmonë të keni të drejtë
Nëse e ndërprisni shpesh personin që flet, ndoshta mendoni se po tregoni interesim. Megjithatë, bashkëbiseduesi mund ta përjetojë këtë si mungesë respekti.
E njëjta gjë ndodh kur korrigjoni dikë përpara të tjerëve. Edhe nëse keni të drejtë, mënyra si ia vini në dukje gabimin mund ta vendosë në pozitë të pakëndshme.
Vështirësitë shtohen kur çdo diskutim shndërrohet në garë. Në vend që të dëgjoni mendimin e tjetrit, përqendroheni te argumenti që do t’ju sigurojë fjalën e fundit.
Jepni këshilla që askush nuk jua kërkon
Komentimi i mënyrës si dikush ushqehet, edukon fëmijët, organizon shtëpinë apo ndërton marrëdhënien në çift mund t’ju duket ndihmë.
Por këshillat e pakërkuara shpesh krijojnë përshtypjen se nuk i respektoni zgjedhjet e të tjerëve.
Ekziston një dallim ndërmjet sinqeritetit dhe ashpërsisë. Të thuash të vërtetën nuk nënkupton se çdo mendim duhet shprehur menjëherë, pa marrë parasysh momentin dhe ndjenjat e bashkëbiseduesit.
E keni të vështirë të kërkoni falje
Disa njerëz, edhe kur e kuptojnë se kanë gabuar, përpiqen ta justifikojnë sjelljen e tyre në vend që të kërkojnë thjesht falje.
Shprehjet si “nuk e kisha me atë qëllim” mund të jenë të sinqerta, por nuk e zëvendësojnë pranimin e përgjegjësisë.
Një tjetër zakon që rëndon marrëdhëniet është rikthimi te konfliktet e vjetra. Nëse gjatë çdo mosmarrëveshjeje përmendni gabimet e së kaluarës, pala tjetër mund të ndiejë se asgjë nuk është zgjidhur përfundimisht.
Nuk respektoni kohën dhe kufijtë e të tjerëve
Vonesat e shpeshta, anulimi i planeve në momentin e fundit dhe premtimet e pambajtura mund ta dëmtojnë gradualisht besimin.
Edhe këmbëngulja që dikush të qëndrojë më gjatë, pavarësisht se ka thënë qartë se duhet të largohet, mund të tregojë mosrespektim të kufijve personalë.
Marrëdhëniet vështirë se funksionojnë kur njëra palë pret që të tjerët t’u përshtaten vazhdimisht dëshirave të saj, tranmseton Telegrafi.
LightFieldStudios
Çdo gjë e merrni personalisht
Një mesazh i shkurtër, një takim i anuluar ose një përgjigje e vonuar nuk do të thotë domosdoshmërisht se dikush është i zemëruar me ju.
Nëse çdo ndryshim të sjelljes së të tjerëve e interpretoni si refuzim, mund të krijoni tension edhe aty ku nuk ekziston ndonjë problem.
Një tjetër sjellje lodhëse është ankesa e vazhdueshme. Ndarja e shqetësimeve është normale, por kur pothuajse çdo bisedë përfundon me pakënaqësi dhe kritika, komunikimi mund të bëhet rraskapitës.
Prisni që të tjerët t’jua lexojnë mendimet
Shpesh zhgënjehemi sepse dikush nuk ka reaguar ashtu siç kemi dëshiruar, megjithëse nuk ia kemi shprehur kurrë pritshmëritë tona.
Askush nuk mund t’i dijë gjithmonë nevojat e tjetrit pa komunikim të qartë.
Probleme krijon edhe ndryshimi ndërmjet sjelljes ballë për ballë dhe komunikimit në rrjetet sociale, ku disa njerëz përdorin fjalë shumë më të ashpra sesa do t’i thoshin përballë.
Mendoni se vetëm ju përpiqeni për marrëdhëniet
Nëse vazhdimisht keni përshtypjen se jeni i vetmi person që investon në miqësi, dashuri apo marrëdhënie familjare, ndoshta ia vlen ta shihni situatën nga një këndvështrim tjetër.
Ndonjëherë ky perceptim është i drejtë, por herë të tjera mund të mos e vëreni përpjekjen që bëjnë të tjerët.
Dhe këtu qëndron pyetja më interesante: gjatë leximit të këtyre sjelljeve, a menduat menjëherë për dikë tjetër?
Nëse po, ndoshta ia vlen të shqyrtoni edhe zakonet tuaja.
Një sjellje e vetme nuk ju bën person të vështirë. Megjithatë, gatishmëria për të pranuar kritika, për të kërkuar falje dhe për të respektuar kufijtë e të tjerëve mund t’i bëjë marrëdhëniet më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme. /Telegrafi/




