Dy persona kanë mbetur të vrarë dhe 40 të tjerë janë plagosur, përfshirë katër fëmijë, si pasojë e një sulmi rus gjatë natës në qytetin ukrainas të Zaporizhjas.

Lajmin e ka bërë të ditur të martën guvernatori i rajonit, Mykhailo Semikin, transmeton klankosova.tv.
Pas sulmit, janë publikuar fotografi dhe video ku shihet një ndërtesë banimi e dëmtuar rëndë, me dritaret e thyera dhe mbeturinat e shpërndara përreth saj.
Sipas Reuters, më herët, guvernatori kishte paralajmëruar se mund të kishte persona të bllokuar nën rrënoja, pasi sulmi kishte dëmtuar ndërtesa banimi, shtëpi private, infrastrukturën e transportit dhe automjete.
Ndërkohë, agjencia ruse e lajmeve Interfax, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë, raportoi se ushtria ruse kishte goditur qendra të kontrollit të dronëve, terminale satelitore Starlink dhe objektiva të tjera ushtarake në rajonin ukrainas të Sumyt. Sipas pretendimeve ruse, gjatë këtyre sulmeve janë vrarë edhe pjesëtarë të forcave ushtarake.
Agjencia Reuters ka bërë të ditur se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto raportime.
Ndërkohë, si Rusia ashtu edhe Ukraina mohojnë se shënjestrojnë qëllimisht civilët gjatë sulmeve.





