Djalli nuk do të mund të sajonte një mjet më të mirë për të shkatërruar jetë dhe marrëdhënie.

Nga: Cal Thomas / The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Mediat ishin të entuziazmuara për publikimin e së enjtes të “Grand Theft Auto VI” – videolojë e qasshme në PlayStation 5 dhe Xbox Series X|S, e cila solli 3.79 miliardë dollarë [3.47 miliardë euro] nga shitjet me pakicë në ditën e parë, duke vendosur rekord si publikimi më i madh zbavitës në histori.
Loja vjen me klasifikimin M për të Rritur, e destinuar për lojtarë 17 vjeç e më të vjetër, por mund të jeni të sigurt se kjo nuk do t’i ndalojë as meshkujt më të rinj që ta sigurojnë atë. Klasifikimi duhej të kishte ardhur me një kafkë dhe eshtra të kryqëzuara për shkak të përmbajtjes së saj – diçka që mediat e shpërfillin në fiksimin e tyre me paratë që po fiton loja.
Ja një përmbledhje e asaj që gjendet në “lojë”, e cila në të vërtetë duhej të quhej ndryshe: përmbajtje e fortë seksuale, lakuriqësi, gjuhë e rëndë, dhunë intensive, gjak dhe skena të përgjakshme, përdorim droge dhe alkooli.
Hej, prindër, a jeni në rregull me faktin që djemtë tuaj po përpijnë këtë ndyrësi? Nëse po, dikush duhet të thërrasë Shërbimet e Mbrojtjes së Fëmijëve.
Le të shkojmë më thellë, sepse vetë djalli nuk do të mund të kishte sajuar një plan më të mirë për shkatërrimin e jetës dhe marrëdhënieve, veçanërisht me gratë e reja.
Lojtarët mund të vizitojnë klube striptizi, të dalin në takime me personazhe që nuk luajnë, me mundësinë për të fjetur me ta e të kërkojnë “punëtore seksi”. Aktet seksuale nuk shfaqen në detaje grafike në ekran, ndonëse lëvizjet dhe tingujt dëgjohen brenda automjeteve ose pas dyerve të mbyllura, krahas veshjeve të brendshme dhe bikinit dhe një skene të shkurtër me lakuriqësi të plotë mashkullore – një situatë e humbur dhe e mallkuar, nëse ka pasur ndonjëherë të tillë.
Fatkeqësisht, ka edhe më shumë, duke përfshirë shumë shaka seksuale, humor vulgar dhe satirë sugjestive. Fjalori i rëndë përdoret gjatë gjithë dialogut, misioneve, emisioneve radiofonike dhe ndërveprimeve në rrugë, përfshirë përdorimin e shpeshtë të fjalëve si “q…”, “m…”, “k…”, “dreqi e marrtë” dhe “ferr”.
– Lexo po ashtu nga Cal Thomas: Çfarë kanë të përbashkët Artemis II dhe socializmi?
Ka përdorime të herëpashershme të fyerjeve racore, etnike dhe homofobike, si dhe fyerje agresive dhe stereotipizime përçmuese. Të shtënat, rrahjet me grushte, vjedhjet e makinave, ekzekutimet, gjaku dhe skenat e përgjakshme përfshihen pa pagesë shtesë.
Pirja e alkoolit, përfshirë ngasjen pas pirjes, drogat rekreative si kokaina, marihuana, heroina dhe pilulat, si dhe tema të errëta të rrëfimit, si krimi dhe trauma e luftës, vijnë bashkë me të.
Është dhurata e përkryer e Krishtlindjes nëse jeni adhurues i Satanit.
Gjuha vulgare ia ka grabitur gjuhës angleze bukurinë e saj. Dëgjon djem të rinj dhe vajza adoleshente duke përdorur fjalë të cilat, në kohën time, do të të sillnin larjen e gojës me sapun.
Lojërat si “Grand Theft Auto VI” po ushtrojnë ndikim gërryes mbi kulturën tonë. Adoleshentët dhe të rinjtë që ngopen me këtë material – loja ofron gati 200 orë “argëtim” për lojtarët që kërkojnë ta zotërojnë plotësisht – kanë një mendim të ulët për vajzat dhe gratë. Kjo mund të ndikojë në lidhjet dhe martesën, nëse dikush vërtet zgjedh martesën në vend të bashkëjetesës pa martesë në kohët moderne.
The Washington Times raportoi javën e kaluar për një Anketë Amerikane të Familjes me beqarë të moshës 18 deri në 40 vjeç se “vetëm 17 përqind e të rinjve beqarë po kërkojnë në mënyrë aktive një ‘lidhje të përkushtuar’”. Nuk duhet të jesh sociolog për të arritur në përfundimin se konsumimi i madh i ndyrësisë në lojëra si “Grand Theft Auto VI” kontribuon në këtë problem.
Pikëpamja e shtrembëruar e gjykatave për Amendamentin e Parë e ka hapur kanalizimin dhe askush nuk duket i gatshëm ose i aftë ta mbyllë. Sikur kjo lojë të ishte ushqim i prishur, do të urdhërohej tërheqja e saj. Ushqimi i prishur për mendjen dhe shpirtin është po aq helmues, në mos edhe më keq.
Më rrëqeth mendimi se çfarë vjen më pas për shkak të asaj që po ndodh në tepër shumë bodrume dhe dhoma adoleshentësh.
Ku janë prindërit të cilët me sa duket kanë harruar çfarë do të thotë kjo fjalë? Një përkufizim i fjalës “prind” është: “Mbrojtës ose kujdestar”. Duke pasur parasysh popullaritetin e “Grand Theft Auto VI”, duket se tepër shumë prindër kanë hequr dorë nga përgjegjësia e tyre parësore ndaj fëmijëve të tyre. /Telegrafi/





