Qeveria e Kosovës, në një mbledhje elektronike, ka miratuar vendimin për emërimin e Luan Dalipit, ish-shefit të stafit të kryeministrit Albin Kurti, në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Investime dhe Eksporte.

Dalipi, i cili për më shumë se pesë vjet ishte njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kurtit në Zyrën e Kryeministrit, tashmë do të udhëheqë një agjenci që është pjesë e riorganizimit institucional të paraparë me Ligjin për Investime të Qëndrueshme.
Emërimi i tij vjen në një kohë kur familja Dalipi është përmendur edhe në raportime për përfitime nga kontratat publike.
Vëllai i tij, Driton Dalipi, është pronar i kompanisë “Management & Development Associates”, e cila ka përfituar kontrata nga institucione shtetërore.
Njëra prej tyre është tenderi i Ministrisë së Mbrojtjes për shërbime marketingu, në vlerë prej afro 60 mijë eurosh. Kompania në pronësi të Driton Dalipit është përmendur gjithashtu në lidhje me tregun e energjisë, pasi në korrik të vitit të kaluar Zyra e Rregullatorit për Energji i kishte dhënë licencë si furnizues të energjisë elektrike.
Luan Dalipi, lidhur me aktivitetin afarist të vëllait të tij, kishte deklaruar se Driton Dalipi është qytetar i lirë dhe se pas 20 vitesh përvojë në biznes kishte vendosur të provonte veten në tregun e liberalizuar të energjisë.
Burimi: Insajderi





