Të paktën 33 persona janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur në një sulm rus me “bombë rrëshqitëse” ndaj dy autobusëve civilë në Kramatorsk të Ukrainës, njoftuan autoritetet ukrainase.

Shefi i administratës së rajonit të Donetskut, Vadym Filashkin, tha se autobusët po transportonin udhëtarë dhe akuzoi Rusinë se kishte shënjestruar civilët, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Pamjet e publikuara nga prokuroria tregojnë autobusët e përfshirë nga flakët dhe mbetjet e tyre në rrugë.
Pas sulmit, transporti publik është ndërprerë në Kramatorsk dhe Slovjansk. Filashkin u bëri thirrje banorëve që ende ndodhen në rajonin e Donetskut të zhvendosen në zona më të sigurta.
Sulmi vjen në një periudhë të përshkallëzimit të bombardimeve ruse. Sipas OKB-së, deri në gusht të këtij viti në Ukrainë janë vrarë më shumë civilë sesa gjatë gjithë vitit 2025.
Të mërkurën, një sulm rus në Pryluky, në lindje të Kievit, vrau 22 persona, përfshirë pesë fëmijë.
Ndërkohë, sulmet ruse kanë vazhduar edhe në Kiev, ku sipas kryetarit Vitali Klitschko, të enjten u vranë tre persona dhe u plagosën 14 të tjerë.
Moska ende nuk ka komentuar sulmin në Kramatorsk. /Klankosova.tv




