Infantino foli të enjten në një konferencë për media të zhvilluar në Cape Verde, ku morën pjesë krerët e 54 federatave anëtare të Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF).
Ky ishte një aktivitet i veçantë strategjik për futbollin afrikan dhe një mundësi për kreun e FIFA-s që t’u drejtohej një pjese të rëndësishme të votuesve për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Gjatë fjalimit të tij, Infantino kujtoi investimet e FIFA-s në futbollin afrikan që prej zgjedhjes së tij në krye të organizatës në vitin 2016.
“Si president i FIFA-s, jam krenar që së bashku me ju kam kontribuar sadopak në këtë revolucion të futbollit afrikan gjatë 10 viteve të fundit”, deklaroi Infantino.
Ai theksoi veçanërisht programin FIFA Forëard, përmes të cilit, sipas tij, janë investuar rreth 1 miliard dollarë në Afrikë gjatë një dekade, në 124 projekte të ndryshme dhe iniciativa të tjera.
Infantino nuk iu referua drejtpërdrejt planit të diskutueshëm për shitjen e një pjese të të drejtave në turnetë e FIFA-s, projekt që u la pezull pas kundërshtimeve të forta, kryesisht nga vende evropiane dhe të Amerikës së Veriut.
Megjithatë, ai bëri thirrje për dialog të hapur edhe kur ekzistojnë mosmarrëveshje.
“Kur kalon një rrugëtim, ndonjëherë ngrihen shqetësime. Kur ato shfaqen, duhet t’i adresojmë. Ne në FIFA i trajtojmë gjithmonë përmes dialogut, me krahë të hapur, zemër dhe mendje të hapur. Gjithmonë mund të bëjmë më mirë”, tha ai.
Kreu i FIFA-s përsëriti angazhimin e organizatës për zhvillimin e futbollit në kontinentin afrikan dhe rritjen e mundësive për federatat kombëtare.
“Angazhimi ynë është të sigurohemi që futbolli juaj të vazhdojë të përmirësohet dhe të rritet, duke krijuar më shumë mundësi. Dhjetë vende afrikane në Kupën e fundit të Botës ishte një sukses për të gjithë kontinentin”, u shpreh Infantino.
Ai gjithashtu u bëri thirrje drejtuesve të CAF që të përcaktojnë nevojat dhe prioritetet e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit.
“Ne duhet të vazhdojmë së bashku në këtë rrugë. Ju takon juve, si CAF, të na tregoni se çfarë dëshironi dhe si mund t’ju bëjmë më të fortë e më të mirë”, theksoi Infantino.
“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë burimet dhe rritjen e financimit që nevojiten për ta çuar futbollin afrikan në majat e futbollit botëror”, përfundoi presidenti i FIFA-s.
Burimi: RTKLive




