Analistja Ivana Stradner ka reaguar pas raportimeve të The New York Times se dy këshilltarë të lartë politikë të presidentit amerikan Donald Trump kanë këshilluar qeverinë pro-ruse të Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë.

Stradner, përmes një postimi në rrjetin social X, i është referuar raportimit të The New York Times, duke theksuar se bëhet fjalë për dy persona të afërt me administratën Trump.
Ajo tha se presidenti amerikan ka të drejtë të distancohet nga lideri i Republikës Srpska, Milorad Dodik, por edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Presidenti Trump ka absolutisht të drejtë të distancohet nga Dodik, por edhe nga Vuçiqi i Serbisë. Ata nuk janë aleatë të SHBA-së; ata janë kukulla të Putinit dhe Xi Jinpingut, të cilët po e përdorin presidentin Trump për legjitimitet”, shkroi Stradner.
Reagimi i saj erdhi pasi Trump deklaroi se Chris LaCivita dhe James Blair, dy figura të njohura të rrethit të tij politik, janë “konsulentë të jashtëm” dhe nuk punojnë për të si këshilltarë.
Trump tha se të dy punojnë edhe për klientë të tjerë dhe se, në rast të ndonjë konflikti interesi, ai do t’i largonte menjëherë.
Deklarata e Trumpit është publikuar në një kohë kur roli i këshilltarëve amerikanë në raport me aktorët politikë në Ballkan, veçanërisht me strukturat pro-ruse në Republikën Srpska, po tërheq vëmendje të shtuar.
Stradner, e cila shpesh kritikon ndikimin rus në Ballkan, e vendosi çështjen në një kontekst më të gjerë, duke argumentuar se liderët si Dodik dhe Vuçiq synojnë të përfitojnë nga afërsia me administratën amerikane, ndërkohë që ruajnë lidhje të forta me Moskën dhe Pekinin.




