Justina Shiroka Pula u zgjodh presidente e vendit në seancën e 6 tetorit në Kuvendin e Kosovës, pas shumë muajsh bllokade politike.

Për personalitetin e saj u diskutua në emisionin “Weekend” në Klan Kosova, me të ftuarit, gazetaren e Klan Kosova, Arbëresha Uka, si dhe Vullnet Krasniqin.
Si gruaja e tretë presidente e vendit, Uka tha se nuk e paraqet situatën faktike të mentalitetit tonë, sepse sipas saj, presidentët zgjidhen me marrëveshje politike.
Ajo tha se do të donte që gratë presidente të zgjidheshin me referendum, me votë të popullit.
“Megjithatë, kjo dëshmon edhe një herë që gratë e arrijnë paqen dhe stabilitetin politik, dhe një grua e bëri kompromisin politik në një katrahurë që ne mund të hynim në aspektin shtetëror dhe shoqëror”, tha Uka.
Ajo tha se ne jemi të prirë për të paragjykuar, duke përmendur edhe rastin e ish-presidentes Atifete Jahjaga.
Mirëpo, sipas gazetares, ajo ka dëshmuar se ka punuar me veten dhe e ka dëshmuar me punë, duke u pritur nga shtete të fuqishme.
Ndërkaq, gazetari Krasniqi, emërimin e grave në pozita të larta udhëheqëse, në rastin konkret të presidentes Shiroka Pula, thotë se është konteksti i nënës dhe i një gruaje që kujdeset shumë për familjen, “është e mirë me krejt, pak si gjyshe”.
“Shoqëria jonë kështu i sheh gratë shumicën e kohës. Ky nuk është mendimi im. Fatkeqësisht është reduktuar në këtë pikë, dhe mënyra qysh është zgjedhur nuk ka ardhur si pasojë e një procesi të diskutimeve të gjata politike. Ka qenë kryetare e AShAK”, deklaroi Krasniqi.
Ndiqeni diskutimin në videon më poshtë:




