Policia franceze po përballet me kritika të shtuara për përdorimin e forcës gjatë protestave të nxënësve, pasi numri i rasteve të lëndimeve të rënda ka vazhduar të rritet.
Mes të lënduarve është edhe 14-vjeçari Eden, i cili pësoi thyerje të nofullës dhe dëmtime të shumta të dhëmbëve pasi u godit në fytyrë nga një granatë gazi lotsjellës, e shkrepur nga një polic në distancë të afërt, javën e kaluar, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Sipas prindërve dhe avokates së familjes, adoleshenti ishte ulur mbi një mur, disa metra larg protestës në Saint-Ouen-l’Aumône, dhe po shikonte telefonin e tij.
Sipas prokurorisë lokale, një polic iu afrua dhe e goditi me shkop, ndërsa Eden reagoi duke e goditur me këmbë. Më pas, një polic i dytë qëlloi drejt tij me një granatë gazi lotsjellës përmes një lëshuesi të tipit Cougar, duke e goditur në fytyrë.
“(Polici) e qëlloi në gojë dhe e la të shtrirë në tokë, pa thirrur as shërbimet e urgjencës”, deklaroi avokatja Elsa Marcel.
Familja ka paraqitur kallëzim penal për tentativë vrasjeje, ndërsa ka kërkuar që mbiemri i të miturit të mos bëhet publik, për të mbrojtur privatësinë e tij.
Një zëdhënës i policisë tha se nuk komentojnë hetimet në zhvillim. Ndërkaq, prokuroria, në një deklaratë, bëri të ditur se nxënësi ishte përballur me policinë dhe se zyrtarët policorë ishin përpjekur ta shtynin prapa.
Polici i përfshirë në incident u vu zyrtarisht nën hetim të martën, tetë ditë pas ngjarjes, nën dyshimet për sulm nga një zyrtar publik që ka shkaktuar paaftësi të përhershme ose shpërfytyrim.
Rasti është një nga 24 incidentet që po hetohen nga Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare të Francës (IGPN), lidhur me mënyrën se si policia ka menaxhuar valën e protestave të nxënësve, e cila ka zgjatur më shumë se dy javë.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, i ka cilësuar demonstratat si më të dhunshmet në disa dekada.
Reagimi i policisë ka rikthyer thirrjet për ndalimin e përdorimit të plumbave prej gome dhe granatave të hedhura me lëshues, mjete që nuk përdoren nga policia në shumë vende të tjera evropiane.
Këto pajisje janë kritikuar vazhdimisht vitet e fundit nga organizatat për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International, si dhe nga ekspertë të Kombeve të Bashkuara, për shkak të rrezikut dhe përdorimit joproporcional të tyre.
Ngjarjet kanë shkaktuar zemërim në opinionin publik dhe kanë shtuar mbështetjen për lëvizjen protestuese, e cila pasqyron pakënaqësinë e thellë ndaj qeverisë së presidentit Emmanuel Macron, përpara zgjedhjeve të vitit 2027.
Reuters, përmes intervistave dhe shqyrtimit të dokumenteve ligjore, ka dokumentuar 28 raste të lëndimeve të shkaktuara nga ndërhyrjet policore. Prej tyre, 15 janë pjesë e rasteve që po hetohen nga IGPN-ja. Lëndimet lidhen me përdorimin e plumbave prej gome, granatave trullosëse, gazit lotsjellës, shkopinjve të gomës dhe ndërhyrjeve të policisë me kuaj.
Në dy raste, persona kanë humbur syrin ose kanë pësuar lëndime në të, si pasojë e plumbave prej gome. Ndërsa një 15-vjeçari në Lens iu shkatërrua dora, me gjasë nga një granatë trullosëse, sipas ministrit të Brendshëm, Laurent Nuñez. Pas këtij rasti, ministri pezulloi përkohësisht përdorimin e granatave trullosëse, në pritje të përfundimit të hetimeve.
Nuñez deklaroi të mërkurën, në një intervistë radiofonike, se rreth 200 nxënës ishin lënduar, por sipas tij, në shumë pak raste lëndimet kishin ardhur si pasojë e veprimeve të policisë.
“Roli ynë kryesor është, natyrisht, të mbrojmë nxënësit e shkollave të mesme”, tha ai.
Autoritetet franceze kanë bërë të ditur se edhe rreth 700 zyrtarë policorë janë lënduar gjatë protestave. Po ashtu, shkolla janë djegur ose dëmtuar, ndërsa mësimdhënësit dhe qytetarët janë sulmuar. Policia ka arrestuar 6.877 persona, shumica prej tyre të mitur.
Sebastian Roché, studiues i policimit në Qendrën Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore, tha se Franca përbën një rast të pazakontë për sa i përket përdorimit të armëve policore dhe numrit të viktimave.
“Franca është një anomali sa i përket përdorimit të armëve dhe numrit të viktimave – kemi katër lëndime të pakthyeshme brenda 12 ditësh dhe të gjitha viktimat janë të mitura”, deklaroi ai.
Sipas tij, ky nivel i lëndimeve është i panjohur në historinë bashkëkohore të Francës.
Burimi: Dukagjini




