Burgjet në Maqedoninë e Veriut po përballen me mbipopullim, duke rikthyer diskutimet për zbatimin e masave alternative dhe mundësinë e amnistisë për kategori të caktuara të të dënuarve.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediumi “360 gradë”, në Institucionin Korrektues të Idrizovës ndodhen 1.296 të burgosur, ndonëse kapaciteti i tij është 1.187 persona.
Situata e ngjashme paraqitet edhe në burgjet e tjera. Në Shtip janë 211 të dënuar, ndërsa kapaciteti është 139 vende. Në burgun e Prilepit ndodhen 134 persona, përkundër kapacitetit prej 108 vendesh.
Drejtori i Institucionit Korrektues të Idrizovës, Zoran Jovanovski, ka paralajmëruar se rritja e numrit të të burgosurve shton edhe shpenzimet për akomodim, ushqim, ujë dhe energji elektrike.
Ai ka bërë të ditur se planifikon t’u dorëzojë autoriteteve përkatëse një analizë për ndikimin e mundshëm të amnistisë.
“Do të ishte mirë të jepej sërish amnisti për vepra të caktuara penale me qëllim uljen e numrave, megjithëse kjo është në fund të fundit çështje e politikanëve”, ka deklaruar Jovanovski për “360 gradë”.
Si zgjidhje afatgjatë përmendet edhe përdorimi më i gjerë i sanksioneve alternative, përfshirë provën, e cila u mundëson personave të dënuar të qëndrojnë në liri nën mbikëqyrje dhe me detyrime të përcaktuara nga institucionet kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Mbipopullim në burgjet e Maqedonisë së Veriut, kërkohen masa alternative appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




