Një ekspeditë shkencore në thellësitë e Oqeanit Atlantik ka sjellë një zbulim të jashtëzakonshëm: 57 specie të reja detare dhe pesë gjini të reja janë identifikuar në një kanion nënujor pranë brigjeve të Argjentinës.

Zbulimet u konfirmuan pas analizimit të mostrave të mbledhura gjatë një ekspedite në kanionin nënujor Mar del Plata, në vitin 2025. Studimi u zhvillua nga një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh, të cilët u mblodhën në Buenos Aires për të shqyrtuar organizmat e mbledhur nga fundi i oqeanit.
Një nga krijesat që tërhoqi më shumë vëmendje ishte një kastravec deti i pagëzuar me emrin “Loki”, për shkak të zgjatimeve në formë brirësh që i ngjajnë pamjes së perëndisë së mashtrimit në mitologjinë nordike.
Kjo krijesë u dokumentua në një thellësi prej rreth 2 mijë e 577 metrash nën sipërfaqen e detit, duke u bërë një prej zbulimeve më të veçanta të ekspeditës.
Nga gjithsej 57 speciet e identifikuara, 20 i përkasin grupit të krustaceve të vegjël të njohur si kopepodë, 22 janë ekinodermë, ku përfshihen kastravecët e detit dhe krinoidet, ndërsa 14 janë organizma të grupit knidar, ku bëjnë pjesë koralet dhe disa organizma të tjerë detarë. Një specie tjetër i përket grupit të molusqeve me guaskë në formë dhëmbi.
Shkencëtarët theksojnë se kanionet nënujore janë ndër ekosistemet më pak të eksploruara në planet. Kanioni Mar del Plata arrin në thellësi mbi 3 mijë e 500 metra dhe gjendet në një zonë ku takohen rrymat e ngrohta subtropikale me ato të ftohta, të pasura me lëndë ushqyese, duke krijuar kushte të favorshme për një biodiversitet të pasur.
Për studiuesit, ky zbulim tregon se thellësitë e oqeanit vazhdojnë të fshehin forma jete të panjohura për shkencën. Një ekspeditë tjetër në kanione të ndryshme nënujore pranë Argjentinës është planifikuar për vitin 2027, me synimin për të zbuluar edhe më shumë specie.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Shkencëtarët zbulojnë 57 specie të reja në thellësitë e oqeanit, mes tyre edhe një krijesë të quajtur “Loki” appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




