Fidji Simo, ish-drejtoresha e OpenAI-së dhe ish-drejtuese e Facebookut, po përdor inteligjencën artificiale për të kërkuar trajtime të reja për sëmundjet kronike – përfshirë edhe sëmundjen nga e cila vuan vetë.

Simo iu bashkua OpenAI-së në maj të vitit 2025, fillimisht si drejtoreshë ekzekutive për aplikacionet dhe më pas mori përgjegjësi edhe për zbatimin e inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI). Megjithatë, në të njëjtën kohë ajo po përballej me probleme serioze shëndetësore.
Ajo ishte diagnostikuar disa vite më parë me sindromën e takikardisë ortostatike posturale (POTS), një sëmundje kronike që mund të shkaktojë rritje të shpejtë të rrahjeve të zemrës, marramendje dhe humbje të vetëdijes kur personi ngrihet ose qëndron ulur.
Gjendja e saj u përkeqësua pasi filloi punën në OpenAI dhe ajo nuk mundi më ta përballonte ritmin intensiv të punës. Në korrik të këtij viti, Simo u largua nga pozita në kompani, por mbeti këshilltare me kohë të pjesshme, raportojnë mediat.
“Fatkeqësisht, e kam shumë, shumë të vështirë të qëndroj në këmbë pa humbur vetëdijen. Nuk mund të qëndroj gjatë as ulur, as në këmbë – pas më shumë se pesë apo dhjetë minutash humbas vetëdijen”, ka thënë ajo.
Gjatë vitit të fundit, Simo është përqendruar në mënyrën se si inteligjenca artificiale mund të përdoret për të luftuar sëmundjet kronike. Në mars të vitit 2025, së bashku me Rohit Gupta dhe Rishi Reddy, ajo themeloi kompaninë startup ChronicleBio.
Kompania synon të përdorë inteligjencën artificiale dhe të dhënat biologjike për të kuptuar më mirë rrjetin kompleks të simptomave që lidhen me sëmundje kronike të sistemit imunitar, përfshirë POTS-in, COVID-in e gjatë dhe encefalomielitin mialgjik/sindromën e lodhjes kronike (ME/CFS).
Sipas Gupta-s, rreth 250 milionë njerëz në mbarë botën vuajnë nga këto sëmundje kronike.
Qëllimi i Simo-s dhe bashkëthemeluesve të saj është që, përmes kombinimit të inteligjencës artificiale dhe të dhënave biologjike, të identifikojnë mekanizmat e këtyre sëmundjeve dhe të ndihmojnë në zhvillimin e terapive të reja. /Telegrafi/




