Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca Veri-Atlantike do të mbrojë çdo centimetër të territorit polak, pas raportimeve për shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia.

Deklarata e tij erdhi gjatë një vizite në Varshavë, një ditë pasi autoritetet polake njoftuan se tri objekte të dyshuara ruse, me gjasë dy raketa dhe një dron, kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit.
“Mund të garantoj se NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit polak”, deklaroi Rutte, sipas agjencisë polake të lajmeve PAP, transmeton Reuters.
Ai theksoi se komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të identifikuar kërcënimet e mundshme dhe për të përshtatur kapacitetet mbrojtëse të Aleancës.
Incidenti i fundit ka rritur tensionet mes Rusisë dhe NATO-s, pasi dronët kanë hyrë vazhdimisht në hapësirën ajrore të vendeve në krahun lindor të Aleancës gjatë luftës në Ukrainë.
Shkelja e raportuar ndodhi të premten, në kohën kur Polonia po organizonte stërvitje ushtarake me pjesëmarrjen e vendeve të ashtuquajtura “Koalicioni i Vullnetit”, që mbështesin Ukrainën.
Zyrtarët polakë kanë deklaruar se koha e incidentit nuk ishte rastësi.
Ndërkohë, të hënën në Bruksel pritet të mblidhet Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi kryesor vendimmarrës i NATO-s, për të diskutuar shkeljen e hapësirës ajrore polake nga objektet e dyshuara ruse.
Incidenti ka shtuar shqetësimet për mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit përtej kufijve të Ukrainës. /Telegrafi/





