Gjithçka duhej të funksiononte si një planet në miniaturë, pa ndihmë nga jashtë. Por kur pjesëmarrësit filluan të kishin vështirësi në frymëmarrje, shkencëtarët u përballën me një mister që fshihej aty ku askush nuk e priste

Në vjeshtën e vitit 1991, në shkretëtirën e Arizonës, nisi një nga eksperimentet më të pazakonta shkencore të shekullit XX. Tetë persona pranuan vullnetarisht të kalonin dy vjet brenda një kompleksi gjigant, pothuajse hermetikisht të izoluar, të quajtur Biosphere 2.
Ideja e krijuesve ishte ambicioze: të ndërtonin një version të vogël të planetit Tokë dhe të provonin nëse njerëzit mund të mbijetonin në një ekosistem të mbyllur, duke prodhuar vetë ushqimin, duke ricikluar ujin dhe duke ruajtur ajrin e nevojshëm për frymëmarrje.
Nën konstruksionet e mëdha prej xhami, në një sipërfaqe prej rreth 1.27 hektarësh, u krijuan disa zona natyrore: pyll tropikal, oqean me shkëmbinj koralorë, pyll mangrovash, savanë, shkretëtirë dhe hapësira bujqësore.
Pjesëmarrësit kultivonin vetë ushqimin dhe vareshin nga burimet e ekosistemit artificial.
Projekti dukej si një skenar fantastiko-shkencor i kthyer në realitet. Për shumë njerëz, ai përfaqësonte edhe një provë të mundshme për kolonitë e ardhshme njerëzore në hapësirë.
Nëse njerëzimi një ditë vendos të jetojë në Mars, sisteme të ngjashme mund të jenë vendimtare për mbijetesën.
Por ajo që nisi si një eksperiment ambicioz, gradualisht u shndërrua në një situatë shqetësuese, transmeton Telegrafi.
Oksigjeni po zhdukej dhe askush nuk e kuptonte pse
Muajt e parë kaluan relativisht mirë. Megjithatë, me kalimin e kohës, pjesëmarrësit filluan të vërenin ndryshime të pazakonta.
Lodheshin shumë më shpejt, puna fizike bëhej gjithnjë e më e vështirë dhe ndienin mungesë ajri edhe gjatë aktiviteteve të zakonshme.
Matjet konfirmuan se niveli i oksigjenit brenda kompleksit po binte vazhdimisht.
Në fillim, oksigjeni përbënte rreth 21 për qind të atmosferës së brendshme, pothuajse njësoj si në Tokë.
Por brenda rreth 16 muajsh, përqendrimi ra në afërsisht 14 për qind.
Kjo përqindje nënkuptonte një sasi oksigjeni të disponueshëm të krahasueshme me atë në një lartësi prej rreth 4.000 metrash mbi nivelin e detit.
Në kushte të tilla, organizmi mund të përballet me lodhje, vështirësi në frymëmarrje, dobësi dhe ulje të aftësisë për punë fizike.
Për tetë njerëzit e izoluar, situata ishte veçanërisht shqetësuese, sepse nuk mund të dilnin nga kompleksi pa ndërprerë eksperimentin.
Misteri më i madh: Ku po shkonte oksigjeni?
Shkencëtarët u përballën me një problem që dukej i pashpjegueshëm.
Nëse oksigjeni konsumohej në sasi kaq të mëdha, atëherë përqendrimi i dioksidit të karbonit duhej të rritej në përmasa të ngjashme.
Por kjo nuk po ndodhte në nivelin e pritur.
Dukej sikur një pjesë e oksigjenit po zhdukej pa lënë gjurmë.
Shpjegimi u gjet më vonë dhe ishte shumë më i ndërlikuar sesa kishin menduar projektuesit.
Fajtori i parë ishte dheu.
Për zonat bujqësore ishte përdorur tokë jashtëzakonisht pjellore, e pasur me lëndë organike.
Miliarda mikroorganizma që jetonin në të shpërbënin vazhdimisht këto materiale, duke konsumuar sasi të mëdha oksigjeni dhe duke çliruar dioksid karboni.
Procesi ishte shumë më intensiv sesa ishte parashikuar.
Ndërkohë, bimët nuk arrinin ta kompensonin humbjen e oksigjenit përmes fotosintezës.
Megjithatë, kjo shpjegonte vetëm një pjesë të misterit.
Betoni ishte pjesa tjetër e problemit
Zbulimi tjetër ishte edhe më befasues.
Sasitë e mëdha të betonit të ekspozuar brenda kompleksit po reagonin kimikisht me dioksidin e karbonit.
Gjatë procesit të karbonatizimit, dioksidi i karbonit reagonte me përbërësit e betonit dhe shndërrohej në karbonate.
Kështu, mikroorganizmat konsumonin oksigjenin dhe prodhonin dioksid karboni, ndërsa një pjesë e këtij gazi lidhej kimikisht me betonin.
Kjo shpjegonte përse oksigjeni pakësohej, ndërsa dioksidi i karbonit nuk grumbullohej në përmasat e pritura.
Studimet shkencore që pasuan konfirmuan rolin e aktivitetit mikrobik në tokë dhe të reaksioneve kimike me betonin.
U detyruan të shkelnin rregullin kryesor për të shpëtuar eksperimentin
Kur niveli i oksigjenit u bë shqetësues për shëndetin e pjesëmarrësve, drejtuesit e projektit u detyruan të ndërhynin.
Në kompleks filloi të furnizohej oksigjen nga jashtë.
Ky vendim binte ndesh me idenë fillestare të një ekosistemi që funksiononte në mënyrë të pavarur, por ishte i nevojshëm për sigurinë e njerëzve brenda tij.
Pavarësisht vështirësive, tetë pjesëmarrësit përfunduan qëndrimin dyvjeçar dhe dolën nga kompleksi më 26 shtator 1993.
Një mision i dytë filloi në mars të vitit 1994, por përfundoi pas rreth gjashtë muajsh, në një periudhë konfliktesh organizative dhe ndryshimesh në drejtimin e projektit.
Çfarë ndodhi me Biosferën 2?
Sot, kompleksi është në pronësi të Universitetit të Arizonës dhe shërben si qendër kërkimore për studimin e ekosistemeve, proceseve mjedisore dhe ndryshimeve klimatike.
Megjithëse eksperimenti fillestar nuk arriti të demonstronte një sistem plotësisht të vetëqëndrueshëm, ai siguroi njohuri të rëndësishme për ndërveprimet ndërmjet tokës, bimëve, atmosferës dhe materialeve ndërtimore.
Përvoja tregoi se krijimi i një bote artificiale është shumë më i ndërlikuar sesa mund të duket në teori.
Edhe kur çdo element projektohet dhe kontrollohet me kujdes, proceset natyrore mund të ndërveprojnë në mënyra të paparashikuara.
Dhe pikërisht kjo ishte mësimi më i madh i Biosferës 2: Njeriu mund të ndërtojë një mjedis artificial, por kontrollimi i të gjitha proceseve që e mbajnë gjallë është një sfidë krejt tjetër. /Telegrafi/





