Anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është aktualisht pjesë e diskutimeve, ka deklaruar Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar se prioriteti i Shteteve të Bashkuara mbetet përfundimi i luftës në Ukrainë.
“E kemi bërë të qartë: nëse ka ndonjë rol që mund të luajmë për t’i dhënë fund kësaj lufte, duam të luajmë një rol konstruktiv”, tha Rubio.
I pyetur për perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, Rubio tha se “nuk ka një përgjigje të qartë”, duke lënë të hapur çështjen për të ardhmen.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë duket se po përballen me vështirësi.
“Natyrisht, po i ndjekim zhvillimet dhe ajo që po shohim tani nuk po shkon në atë drejtim”, tha Rubio gjatë një konference të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Islandës në Reykjavik.
Rubio theksoi se administrata amerikane dëshiron të kontribuojë në mënyrë konstruktive në përfundimin e luftës, ndërsa çështjet më të gjera lidhur me statusin e Ukrainës dhe sigurinë e saj do të varen nga zhvillimet e mëtejshme të negociatave. /Telegrafi/




