Mbështetja financiare e mësuesve të gjuhës shqipe dhe fuqizimi i shkollave shqipe në Itali janë ndër prioritetet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë për vitin 2027, me synim ruajtjen e gjuhës amtare dhe identitetit kombëtar te brezat e rinj të diasporës.

Në këtë kuadër, drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Ermonela Xhafa, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Diplomacisë Ekonomike, Kulturës dhe Diasporës pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Silvana Leskaj, kanë zhvilluar një takim me kryetaren e Lidhjes së Shkollave Shqipe në Itali, Anila Berberi.
Sipas njoftimit të Agjencisë Kombëtare të Diasporës në Shqipëri, takimi është përqendruar në ecurinë e mësimit të gjuhës shqipe në Itali, nevojat konkrete të shkollave dhe sfidat me të cilat përballen mësuesit gjatë veprimtarisë së tyre të përditshme, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu, janë diskutuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit institucional me strukturat arsimore të diasporës, me qëllim zgjerimin dhe fuqizimin e mësimdhënies në gjuhën shqipe.
Mbështetje financiare përmes nismës “Mësues për Italinë”
Vëmendje e veçantë gjatë takimit i është kushtuar mbështetjes financiare të mësuesve të gjuhës shqipe në Itali, e cila është përcaktuar si një nga prioritetet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2027.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë Samitit të katërt të Diasporës, por edhe gjatë prezantimit të buxhetit të ministrisë për vitin 2027, kishte theksuar rëndësinë e zgjerimit të kësaj nisme edhe në Itali, duke u bazuar në praktikën e ndjekur tashmë për mësuesit shqiptarë në Greqi, shkruan Telegrafi.
“Kjo qasje synon krijimin e një mekanizmi mbështetës dhe shpërblimi financiar për mësuesit shqiptarë të certifikuar, të angazhuar në shkollat dhe klasat shqipe në Itali, si pjesë e nismës ‘Mësues për Italinë’”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
Gjatë takimit është vlerësuar edhe kontributi i Anila Berberit në komunitetin shqiptar në Itali, përmes angazhimit të saj në mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe, promovimin e kulturës, traditave dhe identitetit kombëtar, si dhe forcimin e lidhjeve të diasporës me vendin e origjinës.
Agjencia ka nënvizuar rolin thelbësor të mësuesve dhe shkollave shqipe në përcjelljen e gjuhës amtare, vlerave, traditave dhe trashëgimisë kulturore shqiptare te brezat e rinj.
“Mbështetja ndaj mësuesve përbën një investim të drejtpërdrejtë në forcimin e lidhjeve të fëmijëve dhe të rinjve me gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre kombëtar”, thuhet më tej në njoftim.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë bashkëpunimin me mësuesit, organizatat dhe strukturat e diasporës shqiptare, duke mbështetur projekte dhe nisma konkrete që sigurojnë vazhdimësinë e mësimit të gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar te brezat e ardhshëm.
Në njoftim nuk janë bërë të ditura shuma e mbështetjes financiare, numri i mësuesve që pritet të përfitojnë apo data e fillimit të zbatimit të nismës./Telegrafi/





