Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bllokuar në pikën kufitare të Merdarit dhe ka kthyer mbrapsht një ngarkesë prej 27,000 kilogramësh (27 tonë) misër merkantil me origjinë nga Serbia.

Ngarkesa, e cila ishte eksportuar nga kompania serbe “AGRO DOM TIM DOO” nga Crvenka, po importohej në Kosovë nga kompania pejane “IDEAL GROUP SH.P.K.”. Gjatë kontrolleve dhe analizave laboratorike në kufi, u zbulua se misri përmbante aflatoksinë B1 në nivel prej 0.029 mg/kg – shifër kjo që është 45% mbi kufirin e lejuar ligjor (0.020 mg/kg).
Çfarë është aflatoksina dhe pse përbën rrezik?
Aflatoksina B1 nuk është bakter, por një substancë e rrezikshme toksike që prodhohet nga myqet që zhvillohen në drithëra. Rreziku i saj direkt për njerëzit lidhet me zinxhirin ushqimor: nëse ky misër i kontaminuar përdoret si ushqim për lopët apo kafshët e tjera qumështore, toksina kalon drejtpërdrejt në qumësht (duke u shndërruar në aflatoksinë M1) dhe përmes tij rrezikon seriozisht shëndetin e konsumatorëve.
Pas konfirmimit të analizave, inspektori fitosanitar kufitar ka ndaluar kategorikisht hyrjen e kësaj sasie në tregun e Kosovës, duke e kthyer të gjithë ngarkesën prej 27 tonësh në vendin e origjinës.
Burimi: Insajderi





