Lionel Messi ka dhënë një mesazh emocional pas ndeshjes së tij të fundit me fanellën e Argjentinës, ndërsa konfirmoi se është i bindur për vendimin që ka marrë.

“Dje ishte ndeshja ime e fundit dhe tashmë më mungon të vesh celeste y blanca. E di se po marr vendimin e duhur. Ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm, i mbushur me gëzime, por edhe me disa trishtime. Megjithatë, e kam të qartë se çdo hap ia ka vlejtur”, shkroi Messi në Instagram, transmeton Klankosova.tv.
Ylli argjentinas pranoi se ka ende shumë për të thënë dhe se emocionet e tij janë të pamundura për t’u përmbledhur në vetëm disa fjalë apo në një postim.
Messi veçanërisht falënderoi familjen e tij, e cila, sipas tij, ka qenë gjithmonë pranë tij, sidomos në momentet më të vështira.
“Ky udhëtim do të kishte qenë i pamundur pa familjen time, e cila ka qenë gjithmonë në krahun tim dhe më ka mbështetur, veçanërisht në momentet e vështira, kur kisha më shumë nevojë”, u shpreh ai.
Ish-kapiteni i Argjentinës nuk harroi as miqtë, shokët e skuadrës, trajnerët dhe të gjithë anëtarët e stafit teknik me të cilët ka ndarë këtë rrugëtim.
Në mesazhin e tij, Messi përmendi edhe Diego Maradonën, të cilin e cilësoi si një figurë që e vendosi Argjentinën aty ku e meritonte.
“Dhe nuk dua të harroj Diegon, i cili e vendosi vendin tonë aty ku e meritonte dhe që, siç them gjithmonë, e di se na ndihmoi, duke qenë këtu me ne, por edhe nga qielli, në çdo hap që hodhëm”, shkroi Messi.
Ai falënderoi gjithashtu klubet ku ka luajtur, për respektin dhe për mundësinë që i kanë dhënë për t’iu bashkuar kombëtares sa herë që ishte koha për të veshur fanellën e Argjentinës.
Messi ia atribuon një pjesë të këtij rrugëtimi edhe besimit të tij te Zoti.
“Dhe, sigurisht, faleminderit Zotit. Pa udhëzimin dhe vullnetin e Tij, as nuk do të ëndërronim të kishim arritur deri këtu.”
Messi e mbylli mesazhin me fjalë mirënjohjeje për të gjithë ata që e kanë shoqëruar gjatë këtij kapitulli të jashtëzakonshëm të karrierës së tij.
“Jam mirënjohës. Ju dua shumë, do t’ju marr malli dhe gjithmonë do t’ju falënderoj që keni qenë pranë nesh, pranë meje”.
Postimi emocional i Messit ka marrë mijëra reagime nga futbollistë dhe tifozë, por një prej komenteve më të veçanta ishte ai i Cristiano Ronaldos.
Ronaldo i la një mesazh rivalit të tij të përjetshëm në futboll, duke vlerësuar karrierën dhe kontributin e Messit me kombëtaren argjentinase.
“Leo, kaq shumë vite duke mbrojtur vendin tënd dhe një histori që do të zgjasë përgjithmonë. I gjithë respekti im për atë që ke arritur me Argjentinën. Një përqafim”, shkroi Ronaldo, transmeton Klankosova.tv.
Komenti i yllit portugez mori menjëherë miliona pëlqime dhe u kthye në një nga reagimet më të komentuara në postimin e Messit.





