Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot para Kuvendit të Kosovës, ku, sipas tij, u përball me një akt të papranueshëm nga disa protestues.
Rexhepi ka thënë se ngjarja e ka prekur edhe për shkak të historisë së familjes së tij dhe kontributit të saj në luftën e UÇK-së dhe në rrugën drejt lirisë së Kosovës.
“Ajo që ndodhi sot më dhemb. Jo vetëm për atë që më ndodhi mua, por sepse akte të tilla nuk i bëjnë nder as Kosovës, as sakrificës së popullit tonë dhe as vlerave për të cilat luftuam”, ka shkruar Rexhepi.
Ai ka thënë se veprime të tilla, sipas tij, nuk i bëjnë nder as personave që ndodhen në Hagë dhe po përballen me proces gjyqësor.
Rexhepi ka bërë të ditur se disa persona të identifikuar kanë kërkuar takim me të për t’i kërkuar falje, por ka theksuar se kjo nuk e mbyll rastin.
“Kërkimi i faljes është zgjedhje personale e secilit, por kjo nuk e mbyll rastin”, ka shkruar ai.
Deputeti ka pretenduar gjithashtu se tashmë dihet edhe personi që, sipas tij, ka urdhëruar sulmin.
Rexhepi ka bërë të ditur se rastin do ta procedojë më tej në organet kompetente të rendit dhe drejtësisë. /Telegrafi/




