Sindikata e Minatorëve të Trepçës ka shprehur shqetësimin për gjendjen e sigurisë në minierë, pasi të mërkurën 63 minatorë mbetën për disa orë të bllokuar nëntokë si pasojë e një defekti në furnizimin me energji elektrike.
Në një reagim, sindikata ka kërkuar hetim të plotë dhe transparent të rastit, përcaktimin e përgjegjësive dhe vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve të emergjencës dhe sistemeve të sigurisë në minierë.

Sindikata ka thënë se vazhdimisht ka ngritur shqetësimet për kushtet e punës, pajisjet e vjetruara, rrugët e emergjencës, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve në sigurinë dhe shëndetin e minatorëve.
“Minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën”, thuhet në reagim.
Sindikata ka kërkuar investime urgjente nga shteti për sigurinë e minatorëve, duke theksuar se nuk mjaftojnë deklaratat dhe reagimet vetëm pas incidenteve.
“Trepça mund të jetë pasuri strategjike e Kosovës, por mbi çdo pasuri qëndron jeta dhe shëndeti i minatorit”, thuhet në reagim.
Burimi: Dukagjini




