Rrustem Mustafa, i njohur me nofkën “Remi”, ka vlerësuar lart rolin dhe trashëgiminë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke veçuar edhe figurën e komandantit Zahir Pajaziti si një prej shembujve të guximit dhe vendosmërisë së luftëtarëve të UÇK-së.

Në një shkrim kushtuar UÇK-së dhe trashëgimisë së saj, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit ka theksuar se, sipas tij, organizata arriti të ruante atë që ai e konsideron si “pastërtinë morale dhe organizative”.
“UÇK-ja arriti të ruante pastërtinë e saj morale dhe organizative, duke u mbrojtur me kujdes nga çdo infiltrim armiqësor në procesin e vendimmarrjes”, ka shkruar Mustafa transmeton Klankosova.tv.
Ai ka përmendur edhe vlerësimet që, sipas tij, i janë bërë UÇK-së nga analistë ndërkombëtarë, duke e cilësuar atë si një prej formacioneve kryengritëse më të suksesshme në historinë moderne.
“Analistët ndërkombëtarë e kanë cilësuar UÇK-në si një nga formacionet më të suksesshme kryengritëse në historinë moderne”, thuhet në shkrimin e tij.
Mustafa ka vlerësuar gjithashtu vendosmërinë e udhëheqësve të UÇK-së, të cilët, sipas tij, besuan deri në fund në fitoren dhe lirinë e Kosovës.
“Udhëheqësit e saj besuan deri në fund te fitorja dhe liria”, ka theksuar ai.
Në veçanti, “Remi” është ndalur te komandanti Zahir Pajaziti, një prej figurave të rëndësishme të fazës së hershme të organizimit të UÇK-së. Pajaziti ra më 31 janar 1997 dhe në literaturën historike është përshkruar si një prej ideatorëve dhe organizatorëve të hershëm të formacionit çlirimtar.
“Komandanti Zahir Pajaziti qëndron si shembull i heroit që mposhti frikën për t’i dhënë guxim një kombi të tërë”, ka shkruar Rrustem Mustafa.




