Opinionisti Arbër Vllahiu, ka kritikuar performancën e Qeverisë së Kosovës, duke e cilësuar negativ Raportin e BE-së për vendin, të hartuar nga Komisioni Evropian, dhe duke thënë se në shumicën e fushave vendi ka shënuar dështim.

Vllahiu në emisionin Rubikon të Klan Kosova, ka rikujtuar se Qeveria e Albin Kurtit erdhi në pushtet në vitin 2021 me premtimin për shpresë dhe ndryshim, por sipas tij, përfundoi si qeveri e mungesës së shpresës dhe ndryshimit.
“Si është e mundur që kjo qeveri që ka ardhur në vitin 2021, si qeveri e shpresës dhe ndryshimit, të dalë në qeverinë që është e pashpresës dhe mosndryshimit?”, u shpreh Vllahiu.
Ai tha se Raporti i Progresit duhet të pranohet si rezultat i punës së institucioneve të Kosovës, pasi gjatë hartimit të tij, sipas tij, janë përfshirë edhe institucionet, shoqëria civile dhe grupet e interesit.
“Kanë bashkëpunuar me institucionet e Kosovës, po; me shoqërinë civile, po; kanë punuar me grupet e interesit, po. Pra, ky është rezultati. Kur është përmbledhur raporti në fund të gushtit, fillim të shtatorit, ka ardhur ky rezultat, që është i keq”, deklaroi ai.
Vllahiu theksoi se nga më shumë se 30 kapituj të raportit, vetëm një prej tyre është vlerësuar pozitivisht për Kosovën, ai për lirinë e lëvizjes së mallrave.
“Veç një kapitull është pozitiv për Kosovën. Veç një. Ajo është liria e lëvizjes së mallrave, kurrgjë tjetër s’ka. Edhe përafrimi me politikat e jashtme të Bashkimit Evropian, që nuk është masë që matet. Pra, kemi dështuar si shtet në këtë raport”, përfundoi Vllahiu. /Klankosova.tv





