Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, në seancën e jashtëzakonshme për Raportin e Progresit, ka renditur gjetjet shqetësuese për Kosovën, duke kritikuar Qeverinë Kurti për gjendjen në plot sektorë.

Ajo ka thënë se konstatimet e raportit kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në rritjen e kostos së jetesës, për shkak të papërgjegjësisë së ekzekutivit, raporton Klankosova.tv
“Është fatale që ky raport edhe një herë e vërteton gjendjen alarmante në fushën e energjisë, në fushën e mosinvestimit të transportit dhe qasjes joserioze sa i përket përmirësimit – e krejt këto i kushtojnë qytetarëve tanë në koston e jetesës, e rrisin koston e jetesës për shkak të papërgjegjësisë së kësaj qeverie. Të gjitha këto ndikojnë edhe në shëndetin dhe mirëqenien e familjeve tona”, ka deklaruar ajo.
Në emër të LDK-së, Lushaku-Sadriu ka kërkuar që diskutimi në Kuvend të mos mbetet vetëm në nivel debati siç është thirrur seanca, por të pasojë me kërkesa konkrete.
Ajo ka kërkuar që Qeveria të raportojë çdo tre muaj në Kuvend për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit, si dhe që brenda 30 ditësh të paraqesë një plan veprimi.
“Ky raport është përgjithësisht me notë jokaluese dhe në emër të LDK-së, kërkoj që të mos përfundojmë vetëm një diskutim, por të dalim me kërkesa konkrete për Qeverinë e Kosovës, e cila duhet t’i raportojë Kuvendit të Kosovës rregullisht, çdo tre muaj, për realizimin e Raportit të Progresit – e brenda 30 ditësh të na paraqesë një plan veprimi, me veprime konkrete se si duhet të përmbushen dhe kush janë përgjegjësit kryesorë”, ka thënë Lushaku-Sadriu. /Klankosova.tv





