Milan Radoiçiq, i cili e ka pranuar publikisht se organizoi sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, është në arrati pasi Gjykata e Lartë në Beograd urdhëroi paraburgimin e tij.

Mediat serbe raportojnë se ai mund të jetë larguar nga Serbia së bashku me partnerin e tij të vjetër të biznesit, Zvonko Veselinoviq.
Sipas portalit serb “Nova.rs”, një burim që pretendon se i njeh lëvizjet e tyre ka deklaruar se Radoiçiq dhe Veselinoviq kanë udhëtuar së bashku drejt Kirgistanit. Burimi nuk është identifikuar nga mediumi.
Megjithatë, për vendndodhjen e Radoiçiqit ekziston edhe një version tjetër. Ish-inspektori i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, ka deklaruar për televizionin N1 se, sipas informacioneve jozyrtare nga strukturat e sigurisë, Radoiçiq është larguar nga Serbia drejt Moskës.
I pyetur nëse ai ishte larguar në mënyrë të ligjshme apo pa lejen e institucioneve, Zvezdanoviq është përgjigjur se Partia Përparimtare Serbe (SNS) ende është në pushtet dhe se Radoiçiqit nuk i është dashur leje.
Pse u urdhërua paraburgimi i Radoiçiqit?
Gjykata e Lartë në Beograd urdhëroi paraburgimin e Radoiçiqit më 17 nëntor, pasi ai nuk ishte paraqitur më 15 nëntor në stacionin policor të Savski Venacit, siç e obligonte masa e shqiptuar ndaj tij.
Zëdhënësja e gjykatës, Ivona Çoguriq, konfirmoi se masa e paraburgimit ishte caktuar për shkak të rrethanave që tregonin se Radoiçiq po fshihej.
Pas sulmit në Banjskë, në shtator të vitit 2023, ndaj tij ishte vendosur masa e ndalimit për t’u larguar nga vendbanimi dhe nga territori i Serbisë pa lejen e gjykatës. Atij i ishte konfiskuar pasaporta dhe ishte obliguar të paraqitej në polici dy herë në muaj, përkatësisht më 1 dhe 15 të çdo muaji.
Paraqitjen e fundit në polici e kishte bërë më 1 nëntor, ndërsa dy javë më vonë nuk ishte paraqitur, duke shkaktuar aktivizimin e procedurave për paraburgimin e tij.
Veselinoviqi u largua nga Bosnja drejt Stambollit
Ndërkohë, për partnerin e tij të biznesit, Zvonko Veselinoviq, Radio Evropa e Lirë kishte raportuar se ai ishte larguar nga Bosnja dhe Hercegovina më 11 nëntor, me një fluturim të rregullt nga Sarajeva drejt Stambollit.
Sipas burimeve të sigurisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Veselinoviq kishte udhëtuar duke përdorur pasaportë serbe dhe ishte i shoqëruar nga vëllai i tij, Zharko.
Raportimet për udhëtimin e tij drejt Turqisë dhe pretendimet e “Nova.rs” për një udhëtim të përbashkët me Radoiçiqin drejt Kirgistanit nuk e konfirmojnë në mënyrë të pavarur vendndodhjen aktuale të dy personave.
Lidhjet e biznesit dhe sanksionet amerikane
Radoiçiq dhe Veselinoviq kanë qenë partnerë për një kohë të gjatë në biznes, ndërsa kompanitë e lidhura me ta kanë përfituar edhe nga kontrata shtetërore në Serbi.
Në fund të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit i vendosi të dy në listën e sanksioneve për lidhjet e tyre të dyshuara me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Në atë kohë, autoritetet amerikane e përshkruan Veselinoviqin si udhëheqës të një grupi kriminal, ndërsa Radoiçiqin si zëvendës të tij.
Radoiçiq, i cili në atë kohë ishte nënkryetar i Listës Serbe, më 29 shtator 2023, përmes avokatit të tij, mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë.
Sulmi ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Në këtë sulm u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa disa pjesëtarë të tjerë të policisë u plagosën.
Autoritetet e Kosovës e akuzojnë Radoiçiqin për terrorizëm dhe vepra të tjera të rënda penale, ndërsa kanë kërkuar vazhdimisht nga Serbia dorëzimin e tij për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë.
Ndërkohë, “Nova.rs” ka bërë të ditur se është përpjekur të kontaktojë avokatin e Radoiçiqit, Goran Petronijeviq, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të mediumit./Telegrafi.





