Pse IA-ja dhe vetëdija mund të mos takohen kurrë

Pse IA-ja dhe vetëdija mund të mos takohen kurrë

Pse IA-ja dhe vetëdija mund të mos takohen kurrë

Çetboti [chatbot] mund të jetë në gjendje të arsyetojë, të kujtojë dhe të ndryshojë mendje. Por, ai nuk rrezikon asgjë, sepse nuk ka trup për të humbur.

Sponsor 3M Express

Nga: David Weinberger, autor librash bestseller, studiues në Harvard dhe ish-profesor filozofie (fragment nga libri i tij Beautiful Particulars/ Të veçantat e bukura) / The MIT Press Reader
Përktheu: Agron Shala

Qëndrimi filozofik i quajtur funksionalizëm thotë se vetëdija ka të bëjë me atë që bën diçka, jo me atë prej së cilës është bërë. Pra, nëse IA-ja [inteligjenca artificiale] arrin në pikën ku mund të zhvillojë një bisedë, të arsyetojë, të kujtojë, të ndryshojë mendje, të shfaqë kureshtje dhe emocione e kështu me radhë, atëherë nuk ka rëndësi nëse është bërë prej mishi, silici apo prej tullave LEGO. Në fakt, disa kanë sugjeruar se do të ishte një lloj i ri paragjykimi mendjengushtë po t’ia mohosh vetëdijen një krijese të tillë.

Jam i gatshëm të rrezikoj dhe të them se, pavarësisht nga ajo që kanë sugjeruar drejtuesit e disa kompanive të IA-së, e di se LLM-të [modelet e mëdha gjuhësore] me të cilët bisedoj nuk janë të vetëdijshëm … jo për arsye empirike, por sepse nuk mendoj se ky koncept ka kuptim.

Mendimi im nis me një eksperiment të famshëm mendor të quajtur Dhoma Kineze, propozuar nga filozofi John Searle (1932–2025) i cili, në vitin 1980, na kërkoi të përfytyronim veten në një dhomë me një të çarë dhe pa asnjë hapje tjetër. Në dhomë ka udhëzime të sakta në anglisht për lidhjen e “shkarravinave” me – në dukje – shkarravina të tjera, duke përdorur një libër gjigant me korrelacione të tilla. Pastaj, një shënim në gjuhën kineze futet në dhomë. Nuk flasim kinezisht dhe madje as nuk i njohim karakteret kineze si gjuhë, por i kërkojmë shenjat, shkruajmë shenjat që libri na thotë të shkruajmë dhe i kalojmë rezultatet përsëri përmes të çarës.

Këto korrelacione ua mundësojnë folësve të kinezishtes jashtë dhomës të jenë të sigurt se po zhvillojnë një bisedë me kuptim me dikë që e kupton gjuhën kineze. Por, gjithçka që ne po bëjmë është manipulimi i shenjave të çuditshme në letër, të cilat për ne janë krejtësisht pa kuptim.

Searle pohon se pikërisht këtë e bëjnë kompjuterët, përfshirë edhe ata që duken të vetëdijshëm: manipulojnë simbole pa pasur asnjë vetëdije për atë që nënkuptojnë simbolet, apo madje nëse ato janë simbole. Dhoma Kineze na tregon se manipulimi i simboleve nuk mjafton për të përbërë vetëdijen, sepse kuptimi i një simboli vjen nga një vetëdije e ndarë dhe e veçuar prej tij. Me fjalët e Searleit, kjo bën që kuptimi i një simboli të jetë i jashtëm për të: ai duhet t’i atribuohet nga një vetëdije e veçuar nga simboli.

Nga ana tjetër, vetëdija si e jona është ndryshe. Kur digjni dorën te bishti i nxehtë i një tenxhereje, kafshoni një banane ose vendosni këmbën e majtë përpara së djathtës teksa shëtisni, nuk keni nevojë t’i përktheni këto në dhimbje, në shijen e bananes ose në ecje. Truri juaj është pjesë e një trupi të gjallë që e ndien drejtpërdrejt dhimbjen, e shijon ushqimin dhe di si të ecë pa shikuar poshtë. Nuk ka nevojë për simbole, nuk ka nevojë për përkthime. Në terminologjinë e Searleit, kjo do të thotë se vetëdija është e brendshme: nuk ka nevojë për një vetëdije tjetër që t’ia caktojë kuptimin.

Por, prej nga vjen natyra e brendshme e vetëdijes? Searlei këtë nuk na e thotë.

Gjysmë shekulli para Searleit, Martin Heideggeri (1889–1976) veçse e kishte bërë këtë. Në kryeveprën e tij të vitit 1927, Being and Time [Qenia dhe koha], ai e sheh botën jo ashtu siç ne e shpjegojmë, por ashtu siç e përjetojmë në rrethana të zakonshme të përditshme. Ai zbuloi se, me një rregullsi befasuese, të kuptuarit tonë nuk përputhet me përvojën tonë.

Përkundrazi, vuri në dukje ai, në përvojën e përditshme të jetuar, gjërat pothuajse gjithmonë na shfaqen në dritën e projektit ose synimeve tona aktuale: Për shembull, nëse nuk keni gotë për të pirë, kavanozi bosh i reçelit mund të duket si filxhan. Me një projekt tjetër, ai mund të shfaqet si një vazo e mundshme e përkohshme për lule. Kështu, ne e përjetojmë botën njëkohësisht në dy drita: projektin tonë dhe mundësitë e sendit përkitazi me atë projekt. Të dyja këto na e tregojnë botën sipas asaj që ka rëndësi për ne në atë kohë dhe në ato rrethana.

Por, pse gjërat kanë rëndësi?

Heideggeri thotë se kjo ndodh meqë ne e dimë se jemi në rrezik. Por, as kjo nuk do të shpjegonte asgjë, pos nëse kujdesemi për faktin se jemi në rrezik. Dhe, kjo na fut në një rreth: Kujdesemi sepse e dimë se projektet tona dhe vetë jeta jonë janë gjithmonë në rrezik. Por, kujdesi është arsyeja pse ai rrezik ka rëndësi për ne. Dhe, kështu vazhdojmë rreth e rrotull.

Heideggeri e sjell këtë rreth te dijenia jonë se një ditë do të vdesim – mbase edhe sot. Dhe, ne kujdesemi për këtë. Por, përsëri, pse? Edhe pse Heideggeri nuk flet drejtpërdrejt për këtë, mendoj se mund ta zgjerojmë mendimin e tij për të thënë se kjo përfundon te fakti se jemi të trupëzuar. Rrethi ndalet aty, sepse kujdesi është i brendshëm për trupat – pikërisht lloji i pikës së ndalimit të cilin Searlei e kërkonte. Kujdesi duhet të jetë i brendshëm për ne, sepse trupat duhet t’i shmangen dhimbjes, të hanë dhe të flenë dhe të udhëhiqen me kujdes nga kënaqësitë. Përgjumja, uria, dhimbja dhe kënaqësia janë të brendshme në kuptimin se nuk janë simbole që kanë nevojë për interpretim, pa përmendur faktin se edhe trupi juaj është në mënyrë të brendshme ju dhe ju jeni në mënyrë të brendshme trupi juaj.

Kujdesi dhe trupëzimi janë thellë të ndërthurur.

Kur një fetë keku me mollë ka shije të mirë, shija e saj e këndshme nuk është akt interpretimi. As dhimbja që ndieni kur goditni gishtin e këmbës. Dhe, kur fëmija juaj zvarritet në prehrin tuaj për t’u përqafuar, mund ta merrni këtë si shenjë dashurie, por kjo ndodh sepse trupi juaj tashmë e ka ndier atë dashuri; në asnjë çast ajo nuk ishte si një shenjë ngjyre në një gjuhë të cilën nuk e kuptoni. Trupat tanë janë burimi ynë i parë dhe kryesor i përvojës së brendshme. Dhe, ajo përvojë formësohet nga mënyrat e shumta se si mund të kujdesemi për gjërat.

Tani, kujdesi mund të tingëllojë si përgjithësimi përfundimtar për vetëdijen njerëzore – si në “Gjithçka përfundon te kujdesi”. Megjithatë, në përvojën tonë të përditshme, kujdesi është gjithmonë specifik në të paktën tri mënyra.

Së pari, kujdesi gjithmonë ka një objekt për të cilin kujdeset dhe një mënyrë specifike se si kujdeset për të. Ky mund të jetë partneri ose fëmija, por po aq mirë mund të jenë çorapet në tharëse, ai vend që të kruhet në shpinë ose peshku yt i artë që duhet ushqyer.

Së dyti, edhe konteksti i kujdesit është gjithmonë specifik: Kujdesesh për çorapet sepse jashtë është ftohtë, për kruarjen sepse kërkon të kruhet, për peshkun e artë sepse fëmijët e tu do të trishtohen nëse e gjejnë duke pluskuar përmbys (pa e përmendur se edhe ti je lidhur me të).

Së treti, kujdesi është gjithashtu i ndjeshëm ndaj detajeve. Një çast kujdesi intensiv për një person tjetër mund të jetë përgjigje ndaj mënyrës se si ai të shikon, ndaj një gjesti që mishëron një ndjenjë të cilën nuk arrin ta përcaktosh mirë, ose ndaj mënyrës se si ai përkulet përpara teksa dëgjon me vëmendje. Kujdesi shpesh e gjen të vërtetën te detajet.

Specifika e kujdesit formësohet nga bota në të cilën kemi lindur. Për të theksuar karakterin brutal të këtij fakti, Heideggeri e quan atë hedhshmëri: Pa pëlqimin tonë, secili prej nesh lind në një kulturë, një gjuhë, një vend, një familje e kështu me radhë. Kjo është ajo që do të thotë të jesh i ndodhur – gjë që u ndodh qenieve të cilat, duke qenë të trupëzuara, nuk mund të jenë njëkohësisht në shumë vende ose kohë

Hedhshmëria i formëson trupat tanë po aq sa edhe mendjet tona. Filozofja dhe feministja Iris Marion Young (1949–2006) e shqyrton shkëlqyeshëm këtë në esenë e saj të vitit 1980, Throwing Like a Girl [Të hedhësh si vajzë]. Ajo ofron një analizë përshkruese të mënyrës se si situata tipike e një vajze të rritur, në një vend si Amerika, ndikon madje edhe në veprimet e saj më të zakonshme trupore – si i mbajnë vajzat librat ose si ecin mbi gurë përmes një përroi – dhe imponon një “nuk mundem” mbi shumë prej projekteve që ato mendojnë.

Kjo mund të ndodhë vetëm sepse, në përvojë, nuk jemi të ngujuar brenda një dhome duke marrë simbole të koduara që duhet t’i interpretojmë. Ne, qeniet e trupëzuara, jemi jashtë në botë, ku lagështia e trupave tanë në një stuhi të papritur nuk është simbol. Trupëzimi ynë është kjo hapje e brendshme dhe e drejtpërdrejtë ndaj botës. Pikërisht kjo është ajo që i mungon IA-së. /Telegrafi/

Lexo edhe

Përurohet ura e re në Dugajevë të Klinës, investimi kap vlerën e mbi 439 mijë eurove

Përurohet ura e re në Dugajevë të Klinës, investimi kap vlerën e mbi 439 mijë eurove

Futbollisti nga Kosova vdes tragjikisht në një aksident në Gjermani

Futbollisti nga Kosova vdes tragjikisht në një aksident në Gjermani

Trump: Jemi shumë pranë përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë

Trump: Jemi shumë pranë përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë