Prirjet e polimatëve

Prirjet e polimatëve
Etërit e shkencës islame mund të japin mësime për studentët: gjerësi në njohuri para specializimit dhe kurrë mos lejoni që kufizimet t’ju pengojnë. Nga: Mariam Sabri, historiane e shkencës, mjekësisë, teknologjisë dhe mjedisit / aeon.co Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com Këtë semestër, studentët e mi po mësojnë për katër polimatët që i dhanë formë shkencës […]

Etërit e shkencës islame mund të japin mësime për studentët: gjerësi në njohuri para specializimit dhe kurrë mos lejoni që kufizimet t’ju pengojnë.

Nga: Mariam Sabri, historiane e shkencës, mjekësisë, teknologjisë dhe mjedisit / aeon.co
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Këtë semestër, studentët e mi po mësojnë për katër polimatët që i dhanë formë shkencës islame: el-Biruni, Alhazeni, Avicena dhe el-Harizmi. Rrethanat e tyre vështirë se mund të kishin qenë më të ndryshme: njëri doli nga varfëria përmes shkrimeve të tij; njëri u mbajt në arrest shtëpiak për një dekadë; njëri përmblodhi njohuritë mjekësore të një epoke në një tekst që mbizotëroi në universitetet evropiane për 500 vjet; dhe i fundit punoi në institucionin më të madh kërkimor të kohës së tij. Por, secili kishte të njëjtin instinkt themelor: të lëvizte lirshëm mes matematikës, mjekësisë, astronomisë, filozofisë dhe poezisë, duke i vënë supozimet e një disipline në provë kundrejt atyre të një tjetre. Klasa ime e mësimit është në Pakistan, ku studentët vijnë plot zell për të folur rreth transformimit dhe mundësive të punësimit, por rrallëherë për gjerësinë e njohurive. Dua që, përmes jetës së këtyre katër vetëve, ata të shohin se kjo lloj gjerësie nuk është luks për kohë të qeta; ajo ka nxjerrë disa nga arritjet më të qëndrueshme në historinë e shkencës.

Pas 15 vjetësh punë në edukim në arte liberale, besoj se riintegrimi i disiplinave në stil helenistik mund të shfaq rrugën. Nuk po paraqes një argument sipërfaqësor në favor të “ndërdisiplinares”. Përkundrazi, po argumentoj për diçka më specifike: rikthimin e prirjeve drejt polimatisë që dikur lulëzuan në botën myslimane. Në vend që ta fetishizojmë inovacionin transformues përmes kurseve të detyrueshme për sipërmarrjen dhe metodat e aplikuara, duhet të ofrojmë një model krejtësisht tjetër se si të mësohet dhe për çfarë shërben mësimi – sidomos pasi studentët e mi hyjnë tashmë në universitet me një mendësi të orientuar ngushtësisht profesionale.

Vetë fjala polimati përmbledh ndërthurjen e shumë (poly) botëve të dijes (mathy). Polimatia ofron prehje dhe reflektim në një botë të copëzuar nga lufta, katastrofa klimatike dhe padrejtësia. Ajo buron nga idiomat autoktone të botës myslimane, në vend që të jetë një imponim nga Veriu Global. Sot polimatia vë lloje të ndryshme të të menduarit në shërbim të problemeve politike, ekonomike dhe mjedisore. Në një kohë kur studentët po lexojnë më pak nga kanoni klasik dhe po shqetësohen më shumë për mundësitë e punësimit, gjerësia e polimatisë mund të ofrojë një rrugë kuptimplotë përpara. Këto janë mësimet e polimatëve të mëdhenj islamë.

Jeta e figurës sonë të parë, el-Birunit, ka shumë për t’u mësuar studentëve për përmasat njerëzore të shkencës. I lindur në qytetin e Harezmit në Azinë Qendrore, rreth vitit 973, ai u rrit me pak mundësi. Por, kjo nuk e kufizoi: el-Biruni kërkoi arsimimin. Në traditën klasike të polimatisë islame, ai studioi të drejtën islame, gramatikën, teologjinë, shkencat e astronomisë dhe matematikës, si dhe historinë. Gjatë gjithë jetës së tij, skamja nuk ishte pengesë për el-Birunin. Në fakt, skamja ka një mënyrë për ta shtyrë njeriun të vlerësojë çfarëdo njohurie që ka në dispozicion – një mësim kyç për këdo që merret me artet liberale.

Kjo shkathtësi e nxiti el-Birunin të jepte kontribute kyçe në fushat e tij të ekspertizës. Në fillim të karrierës së tij, ai kishte qasje të kufizuar në instrumente shkencore. Pa u zmbrapsur, mësoi vetë t’i ndërtonte ato nga një grusht doracakësh të vjetër dhe me burime të kufizuara. Zgjuarsia e el-Birunit i mundësoi gjithashtu atij t’i sfidonte autoritetet e etabluara shkencore. Astronomi el-Huxhandi, për shembull, kishte ndërtuar një sekstant gjigant të cilin e përdorte për të matur pjerrësinë e boshtit të Tokës në raport me orbitën e saj (pjerrësinë e ekliptikës). Megjithatë, vlera që ai nxori iu duk el-Birunit tepër e ulët. Falë përvojës në ndërtimin e sekstantëve të vet, ai ishte në gjendje ta identifikonte problemin: sekstanti i el-Huxhandit ishte përkulur nga pesha, duke ia shtrembëruar rezultatet. Skamja që e kishte detyruar el-Birunin t’i ndërtonte vetë sekstantët e tij, bëri të mundur që ai të shihte se ku kishin gabuar të tjerët që kishin shumë më tepër burime. Matjet e vetë el-Birunit, të dokumentuara në Përcaktimi i koordinatave të vendndodhjeve për matjen e saktë të largësive ndërmjet vendeve, u pranuan gjerësisht nga bashkëkohësit e tij dhe nga shkencëtarët e mëvonshëm.

Jeta dhe veprat e mëvonshme të el-Birunit u formësuan nga Mahmud Gazniu – sulltan i Perandorisë Gaznavide nga viti 998 deri më 1030. Mahmudi ishte udhëheqës i fuqishëm ushtarak, për të cilin thuhej se nuk kishte humbur kurrë një betejë dhe i cili e zgjeroi në mënyrë dramatike perandorinë e tij të paqëndrueshme. Ndër territoret që pushtoi ishte edhe Harezmi, vendlindja e el-Birunit; vetë el-Biruni shpejt u detyrua të shërbente në oborrin e Mahmud Gazniut. Nën Mahmud Gazniun, ai udhëtoi nëpër Azinë Qendrore, Indi dhe viset arabe. Këto vite luajtën rol vendimtar në formësimin e kontributeve të tij intelektuale dhe të fushave që zgjodhi të studionte.

Pamje nga “Libri gjithëpërfshirës mbi metodat e mundshme për ndërtimin e astrolabit” (shekulli XI), nga El-BiruniBiblioteka e Universitetit të Pensilvanisë

Shërbimi i detyruar i el-Birunit, në mënyrë ironike, i dha mundësinë të përshkonte terrene malore dhe bregdetare, si dhe të mësonte nga traditat astronomike të Indisë, Persisë dhe Arabisë. Metoda e tij novatore për matjen e rrezes së Tokës lindi nga një prej këtyre udhëtimeve: në kalanë Nandana në Panxhab, ai u ngjit në një kodër, mati këndin e uljes së horizontit dhe llogariti rrezen e Tokës me një shkallë të jashtëzakonshme saktësie (sipas shndërrimeve moderne, shifra e tij ishte 3 928.77 milje angleze).

Teksa shumica e astronomëve bashkëkohës të el-Birunit përkrahnin gjeocentrizmin, ai në fakt luajti me idenë e heliocentrizmit – ndonëse pa e integruar zyrtarisht teorinë në pjesën tjetër të mendimit të tij (rreth 500 vjet përpara Kopernikut). Udhëtimet e el-Birunit në zonat bregdetare dhe në shkretëtirat arabe e ndihmuan gjithashtu të kuptonte formimin e kanioneve dhe përbërjen e rërës. “Me kalimin e kohës”, vërejti ai, “deti bëhet tokë e thatë dhe toka e thatë det”. Sikur el-Biruni të mos ishte larguar kurrë nga Azia Qendrore dhe të mos ishte detyruar t’i ndërmerrte udhëtimet e tij nëpër Azinë Jugore dhe Perëndimore, ai nuk do ta kishte bërë kurrë këtë vëzhgim vendimtar. Jeta e el-Birunit u mëson studentëve të sotëm se mungesa dhe skamja nuk është e thënë të jenë pengesa; ato mund të jenë burime të inovacionit.

Krijimtaria mund të vijë po aq prej mundësive të paparamenduara sa edhe prej kufizimeve të paparashikuara. Jeta dhe vepra e polimatit tonë të radhës, Alhazenit, dëshmon se si krijimtaria shfaqet nën kufizime – veçanërisht në robëri. Ndonëse si varfëria ashtu edhe robëria nxisin krijimtarinë, këto kufizime janë të ndryshme në cilësi. Njëra lidhet me skamjen, ndërsa tjetra me pamundësinë për të lëvizur. Skamja nuk e përjashton udhëtimin, ndërsa robëria – një përvojë fatkeqësisht e zakonshme për studentët që punojnë sot nën qeveri shtypëse – e shkëput njeriun tërësisht nga bota e jashtme e cila ofron një mori mundësish. Këto rrethana e dallonin el-Birunin prej Alhazenit.

Alhazeni (i njohur gjithashtu si Ibn el-Hajt’hami) ishte një studiues i madh i optikës, i lindur rreth vitit 965 në Basra, në Irakun e sotëm, ku ekzistonte një klimë e lulëzuar intelektuale që çoi në një produktivitet të rëndësishëm shkencor dhe letrar. Ishte vendi ku u themelua studimi i gramatikës arabe; ku el-Xhahizi hulumtoi gjithçka, nga zoologjia te teologjia; ku Ihvan el-Safa – një vëllazëri e fshehtë shkencëtarësh filozofë – përpiloi një enciklopedi të madhe që ndërthurte matematikën, muzikën dhe metafizikën. Ishte kjo kulturë kozmopolite dhe e dhënë pas librave ajo që formësoi Alhazenin.

Në vitet e tij të hershme, ai u bë i famshëm për arritjet e tij revolucionare në inxhinieri. Por, e tejkaloi veten kur propozoi me guxim ndërtimin e një dige në lumin Nil për të rregulluar rrjedhën e tij. Kalifi fatimid el-Hakimi, i cili sundonte nga Kajroja, mori vesh për propozimin e jashtëzakonshëm të Alhazenit. I njohur në histori si “Kalifi i Çmendur”, el-Hakimi ishte sundimtar thellësisht ekscentrik dhe hakmarrës i cili përndiqte pakicat fetare dhe njëherë urdhëroi që të vriteshin të gjithë qentë në Kajro (me sa duket, lehjet e tyre e bezdisnin). Kur Alhazeni mbërriti në Egjipt, zbuloi i zhgënjyer se Nili nuk mund të nënshtrohej aq lehtë; diga e tij ishte krejtësisht e parealizueshme. Duke pasur me arsye frikë se dështimi i tij do ta zemëronte Kalifin e Çmendur, vetë Alhazeni pretendoi se ishte i çmendur. Mashtrimi funksionoi: ai i shpëtoi ekzekutimit dhe, në vend të kësaj, mbeti në arrest shtëpiak deri në vdekjen e el-Hakimit.

Alhazeni mbeti në arrest shtëpiak për një dekadë. I kufizuar në vendbanimin e tij vetëm me interesat e veta, ai zhvilloi teori novatore për shikimin në një libër të titulluar Kitab el-Manazir (Libri i optikës). Duke pasur parasysh kufizimet fizike të arrestit shtëpiak, ai kaloi shumë kohë duke ndërtuar, rregulluar dhe eksperimentuar me instrumente të cilat e ndihmuan të kuptonte sjelljen e dritës. Njohuritë e tij të gjera ishin burimi i vetëm që kishte gjatë burgimit. Si polimat, Alhazeni ndërthuri njohuritë e tij në gjeometri, astronomi, optikë dhe inxhinieri. Ai zhvilloi ekuacione matematikore për të shpjeguar se si funksiononte drita, studioi shumë dukuri astronomike – veçanërisht yjet – për të shpjeguar teoritë e ndriçimit, ndërsa përdori parimet inxhinierike të camera obscura-s për të imituar funksionin e syrit.

Nga “Enciklopedia e optikës” (1572) e AlhazenitBiblioteka Hjuton, Universiteti i Harvardit

Kontributi i tij më me ndikim mbetet themelor për optikën. Alhazeni ishte ndër të parët që pohoi se shikimi vjen si rezultat i hyrjes së dritës në sy, jo i rrezeve të emetuara prej tij. Kjo ishte teoria e tij me ndikim e intromisionit. Pikëpamjet e tij e vunë në kundërshtim me figurat mëdha si Ptolemeu, Euklidi dhe Galeni, teoria e emisionit në optikë e të cilëve pohonte se syri projektonte rreze mbi objektet që perceptonte. Por, Alhazeni kundërshtoi se kjo nuk mund të përputhej me astronominë: nëse syri duhej të lëshonte rreze përpara se ne të mund të shihnim diçka, nuk do të kishte mënyrë për të shpjeguar se si i shohim yjet e largët në çastin që hapim sytë.

Zhvillimi prej tij i teorisë së intromisionit zbuloi edhe një aftësi tjetër thelbësore: mendimin e tij kritik. Veprat e tij janë testament i faktit se polimatët myslimanë nuk konsumonin, përkthenin apo riprodhonin thjesht dijen greke. Përkundrazi, ata e kritikonin dhe zbulonin. Sikur Alhazeni të mos e kishte kritikuar shkencën greke, duke ndërthurur njohuritë e tij në optikë, astronomi dhe matematikë me demonstrime praktike të camera obscura-s – të gjitha këto në kushtet e robërisë – teoria e tij e intromisionit nuk do të kishte lindur.

Ndonëse shumica besojnë se teoritë e intromisionit ishin kulmi i arritjeve intelektuale të Alhazenit, në fakt polimatia e tij krijoi gjithashtu lidhje të reja mes optikës dhe psikologjisë. Siç ka thënë neuroshkencëtari Charles G Gross, Alhazeni ishte “i pari që njohu rëndësinë vendimtare të lëvizjes së syrit për perceptimin”, duke formësuar kështu vetëdijen tonë për botën pamore. Alhazeni kuptoi se marrja e dritës nga syri ishte vetëm i pari nga shumë hapa vendimtarë në perceptim. Optika e tij shpjegonte se si drita arrin fizikisht në sy, por këmbëngulte se ky ishte vetëm hapi i parë – shndërrimi i asaj ndjesie të papërpunuar në një perceptim të vërtetë të vetëdijshëm kërkonte përfundim të pavetëdijshëm, kujtesë dhe krahasim. Është një pikëpamje çuditërisht moderne, e cila nuk do të formulohej në Perëndim deri në shekullin XIX – dhe, sikur Alhazeni të ishte lidhur ngushtë vetëm me një fushë, nuk do ta kishte bërë kurrë këtë zbulim.

Qoftë nëse studentët synojnë të bëhen studiues apo sipërmarrës, ata duhet të kërkojnë përvoja të larmishme pa një rezultat të paracaktuar. Ndërthurja e krijimtarisë dhe e mendimit kritik të Alhazenit – nën kufizime – çoi në arritjet e jashtëzakonshme për të cilat ai ende kujtohet.

Ndoshta polimati më i shquar nga bota islame ishte Avicena, i cili ishte intelektualisht aktiv nga viti 997 deri më 1037. Mjek dhe filozof i njohur gjerësisht, me prejardhje nga Buhara në Azinë Qendrore, ai ishte fëmijë gjeni, duke treguar zotërim të teksteve dhe koncepteve të ndërlikuara që në moshë të re. Ndonëse kontributet e tij në mjekësi përmenden shpesh sot, kontributet e tij në zhvillimin e metodës shkencore ishin arritjet e tij kryesore. Ashtu si Alhazeni, Avicena kalonte lirshëm nga vëzhgimi te eksperimentimi, nga induksioni te deduksioni, gjë që çoi në përparimet e tij në mjekësi dhe filozofi, si dhe në kontribute më pak të njohura në psikologji dhe gjeologji.

Kryevepra e Avicenës, Al-Qanun fi al-Tibb (Kanoni i mjekësisë) ishte një përpjekje për ta përmbledhur të gjithë dijen mjekësore të epokës së tij – greke, perse dhe indiane – në një vepër të vetme sistematike referimi. E përfunduar rreth vitit 1025, ajo shtrihet në pesë libra: parimet e përgjithshme të fiziologjisë dhe sëmundjes; një katalog alfabetik me rreth 800 substanca mjekësore; sëmundjet e organizuara sipas pjesëve të trupit, nga koka te këmbët; gjendjet që prekin të gjithë trupin, si ethet; dhe, një përmbledhje me rreth 650 barna të përbëra. Por, ajo që e dallon Kanonin është metoda e tij. Avicena parashtron rregullat për testimin e efekteve të një bari të ri, duke formuluar në thelb idenë e provës klinike shekuj përpara se të ekzistonte ky term. I përkthyer në latinisht në shekullin XII, Kanoni u bë teksti standard mjekësor në universitetet evropiane për më shumë se gjysmë mijëvjeçari. Megjithatë, gjenialiteti i Avicenës nuk qëndronte vetëm në përmbajtjen e kësaj arritjeje, por edhe në atë që sot do ta quanim komunikim të shkencës: ai shkruante prozë të qartë dhe poezi evokuese.

Poezia ishte, në fakt, një mjet i rëndësishëm didaktik për komunikimin e njohurive shkencore në botën klasike. Rima dhe metrika ndihmonin që materiali të mbahej mend lehtë. Al-Urjuzah fi al-Tibb (Poemë mbi mjekësinë) e Avicenës përmblidhte mësimet e Kanonit në mënyrë që mjekët t’i kujtonin lehtësisht rekomandimet dhe njohuritë e tij. Këto vargje, në përkthimin e Haven C. Kruegerit të vitit 1963, e përçojnë në mënyrë të gjallë përvojën e sëmundjes:

Simptomat përcaktohen përmes ekzaminimit fizik të trupit në momente të caktuara. Disa janë të dukshme, si verdhëza dhe edema; disa janë të perceptueshme me vesh, si gurgullima e barkut te hidropizia; era e keqe godet shqisën e nuhatjes, për shembull ajo e ulcerave me qelb; disa janë të dallueshme me shije, si aciditeti i gojës; prekja dallon disa të tjera: fortësinë e kancerit!

Kontributet e Avicenës shkonin shumë përtej zbulimeve dhe risive mjekësore. Kontributi i tij në vetë metodën shkencore ishte novator. Kur ngecte në një problem logjik, ai përdorte mistikën si metodë: shkonte në xhami dhe lutej derisa mjegulla mendore t’i largohej dhe ta zgjidhte problemin. Në shumë mënyra, kjo paralajmëron rolin që meditimi luan sot në arritjen e kthjelltësisë mendore. Shkencëtarët tani po zbulojnë se ndryshimi i mjedisit dhe i ritmit mund të bëjnë mrekulli për studiuesit. Në kundërshtim me bindjen e përhapur, vetëdijesimi i plotë nuk është zgjidhje e re për një problem të vjetër. Është rekomandim i ricikluar nga shumë tradita shpirtërore, i paketuar në sekularizëm të pranueshëm. Ta shohësh vetëdijesimin e plotë përmes përdorimeve të tij historike, nga Buda te Avicena, i jep kësaj praktike besueshmëri përtej fetishizimit të saj nga Lugina e Silicit [Silicon Valley] si një qasje përçarëse. Është praktikë e lashtë e lidhur me inovacionin.

Nga “Kanoni i mjekësisë” i AvicenësBiblioteka Uelkom, Londër

Sa herë që ua caktoj studentëve autobiografinë e Avicenës, në kursin tim të historisë së shkencës, ata habiten nga diçka shumë e thjeshtë: ndërthurja e fesë dhe shkencës. Këto të dyja nuk kanë qenë gjithmonë në konflikt, siç nxiten sot studentët të besojnë në mënyrë ahistorike. Zakoni i vetë Avicenës për ta kapërcyer një problem të vështirë logjike përmes lutjes, është një shembull i qartë: për të, t’i drejtohej xhamisë kur arsyeja ngecte nuk ishte tërheqje nga mendimi rigoroz, por zgjatim i tij, pasi si lutja, ashtu edhe kërkimi logjik, synonin të njëjtin qëllim – kapjen e një të vërtete të vështirë. E kam humbur numrin e herëve kur studentët kanë mbetur gojëhapur para shembujve të shkencëtarëve nga historia, që ishin shpirtërorë, josekularë, pa u dhënë sistemeve të tyre të besimit ndonjë gjykim vleror. Këtu përfshihen edhe shkencëtarë relativisht të kohëve të fundit, si fituesi i Çmimit Nobel në Fizikë, Abdus Salam – një pakistanez i cili e identifikonte hapur veten si mysliman dhe nuk shihte asnjë kundërthënie mes besimit dhe hulumtimit të tij.

Për më tepër, Avicena nuk ishte i vetmi që përdorte gjuhë të pasur për të shpjeguar koncepte shkencore. Retorika ishte një nga artet kryesore liberale në traditat greke dhe islame dhe shumica e dijetarëve ishin të zotë në të. Kjo traditë vazhdoi deri te shkencëtarët e shekullit XX, si Abdus Salam, i cili gjatë gjithë jetës ruajti dashurinë për poezinë në urdu, persisht, gjuhën e panxhabit dhe anglisht, ndërsa kolegët që e dëgjuan të ligjëronte për fizikën e grimcave vërenin se elokuenca e tij e bënte këtë temë të tingëllonte si letërsi. Si për Avicenën, ashtu edhe për Salamin, gjuha e gjallë nuk ishte dekor i shtuar shkencës më pas; ajo ishte pjesë e mënyrës se si përpunoheshin idetë dhe se si ato bëheshin të paharrueshme. Theksimi i aftësive për të shkruar në mënyrë efektive dhe evokuese, për studentët në klasën e arteve liberale, është sot kyç për suksesin e tyre. Shkrimi nuk është aftësi e izoluar që mund të zëvendësohet nga inteligjenca artificiale. Ai është themelor si për komunikimin, ashtu edhe për njohjen, për udhëheqësit e ardhshëm në shkencë dhe sipërmarrje. Jeta dhe trashëgimia e Avicenës dëshmojnë si për eklekticizmin metodologjik, ashtu edhe për komunikimin bindës të shkencës, në mënyra të cilat sot po zbehen për shkak të specializimit dhe arsimit të ngushtë profesional.

Polimati ynë i fundit, el-Harizmi, është jashtëzakonisht i çmuar për një kurrikulë të arteve liberale – në botën myslimane dhe përtej saj. Si babai i algjebrës dhe emri nga i cili rrjedh fjala “algoritëm”, vepra e tij tregon se teoria lind nga përballja me probleme praktike dhe se abstraksioni mund të zgjidhë sfida pragmatike. I lindur në Azinë Qendrore rreth vitit 780, el-Harizmi u bë figurë e shquar si udhëheqës i shkencës islame. Ai ishte studiues kyç në Bajt el-Hikmah (Shtëpia e Urtësisë) në Bagdad – atëherë institucioni më i madh i kërkimit intelektual në botën myslimane – me njohuri të gjera në matematikë, astronomi e gjeografi që kishin rëndësi për problemet praktike të qeverisjes dhe administrimit me të cilat përballej Perandoria Abaside.

Ai e përshkroi traktatin e tij për algjebrën, Kitab al-Mukhtasar fi Hisab al-Jabr wa al-Muqabala (Libri i përmbledhur i llogaritjes me restaurim dhe barazim), si një doracak praktik, një “vepër mbi algjebrën, duke u kufizuar në pjesët e bukura dhe të rëndësishme të llogaritjeve të saj, të tilla si ato për të cilat njerëzit kanë vazhdimisht nevojë në çështje trashëgimie, testamente, ndarje, procese gjyqësore dhe tregtie, dhe në të gjitha marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin kur bëhet fjalë për matjen e tokës, hapjen e kanaleve, llogaritjen gjeometrike dhe çështje të tjera të llojeve të ndryshme”. Të gjitha këto ishin zbatime të domosdoshme për administrimin e suksesshëm perandorak nën abasidët. Pavarësisht tërheqjes abstrakte të algjebrës, ajo nuk ishte menduar kurrë të ishte një traditë thjesht teorike, e shkëputur nga nevojat e botës reale.

El-Harizmi kujtohet më së shumti për themelimin e algjebrës, por ambiciet e tij shtriheshin edhe në astronomi dhe gjeografi. Në dedikimin për kalifin el-Mamun, i cili sundoi nga viti 813 deri më 833, ai hartoi Zij al-Sindhind-in e vet – tabela astronomike që paraqisnin lëvizjet e Diellit, Hënës dhe pesë planetëve të njohur – duke përshtatur materiale më të hershme të sjella në Bagdad nga India. Tabelat përfshinin llogaritje për gjatësinë e hijeve të hedhura në kohë të ndryshme të ditës, thelbësore për përcaktimin e kohëve të faljes dhe kalibrimin e orëve diellore. Më vonë, në Kitab Surat al-Ard (Libri i përshkrimit të Tokës), ai iu kthye gjeografisë, duke korrigjuar dhe zgjeruar hartën shekullore të botës të Ptolemeut me koordinata për 2 402 vende. Si në matematikë, ashtu edhe në astronomi dhe gjeografi, filli që përshkon veprën e el-Harizmit është saktësia: këmbëngulja për të matur, për të paraqitur të dhënat në tabela dhe për të korrigjuar në vend që thjesht të trashëgonte dijen e marrë.

Nga traktati i el-Harizmit për algjebrën, “Libri i përmbledhur i llogaritjes me restaurim dhe barazim”Biblioteka Bodlian, Universiteti i Oksfordit

Vetë teoria është shpesh pengesa e vërtetë që shoh në klasë, sidomos te studentët nga mjedise gjeografikisht të pafavorizuara, të cilët vijnë të ushtruar mirë në njohuri të aplkuara, por jo në abstraksion. Kurrikula kryesore shkollore pakistaneze shpërblen mësimin përmendësh – më shumë sesa mendimin kritik ose abstrakt – prandaj, teoria mund të duket e panjohur në vend që të duket e dobishme. Jeta e el-Harizmit tregon të kundërtën: algjebra e tij lindi prej problemeve krejtësisht praktike – mosmarrëveshje për trashëgiminë, matje tokash, hapje kanalesh – por, fuqia e saj qëndronte në faktin se i mbijetoi atyre, duke u bërë metodë mjaftueshëm elastike për të strukturuar problemet të cilat asnjë administrator i shekullit IX nuk mund t’i kishte përfytyruar. Me fjalë të tjera, teoria nuk është e kundërta e praktikës; ajo është ajo në të cilën shndërrohet praktika pasi përgjithësohet. Ky është mësimi që ia vlen të bartet në një klasë të arteve liberale, e cila tepër shpesh e trajton abstraksionin si luks dhe jo si aftësi.

Jeta e këtyre polimatëve na nxit të kuptojmë se kufizimet mund të çojnë në krijimtari dhe inovacion. Kjo ilustrohet veçanërisht nga shembujt e el-Birunit dhe Alhazenit, edhe pse natyra e atyre kufizimeve ishte e ndryshme: skamja e shtyu el-Birunin të krijonte instrumentet e veta, ndërsa robëria e Alhazenit e detyroi të shikonte nga brenda, duke medituar mbi lidhjet mes shikimit dhe psikologjisë. Për Avicenën dhe el-Harizmin, polimatia u zhvillua, përkundrazi, nga patronazhi institucional dhe trazirat e oborrit të cilat u dhanë të dyve si hapësirën ashtu edhe arsyen për të kaluar nga mjekësia te filozofia, matematika, astronomia dhe gjeografia, ndërsa ndërthurnin traditat greke, perse dhe indiane në sinteza të reja.

Ajo që i bashkon të katërt nuk është kufizimi apo mundësia e veçantë me të cilën u përball secili, por ajo që bënë me të: asnjëri nuk lejoi që një disiplinë e vetme t’i vinte kufi mendimit të tij. Edhe kritika ishte thelbësore për këtë refuzim – siç e ilustron kundërshtimi i Alhazenit ndaj teorisë së emisionit në favor të intromisionit: polimatët nuk e trashëgonin thjesht dijen e marrë; ata e vinin atë në pikëpyetje. Dhe, teoria e praktika nuk ishin kurrë të kundërta – siç dëshmojnë metoda klinike e Avicenës dhe matematika e el-Harizmit të udhëhequra nga saktësia: përpikëria dhe abstraksioni janë po aq gurëthemeli i një arsimi të arteve liberale sa edhe vetë gjerësia e njohurive. Së fundi, ajo që kanë të përbashkët jeta e të gjithë atyre është ekspozimi ndërkulturor të cilin e bëri të mundur patronazhi pluralist. Polimatia nuk ka qenë kurrë përpjekje vetmitare, por është ushqyer nga kontakti mes traditave.

Ky mësim ka sot rëndësi për studentët e mi në Pakistan, shumica e të cilëve do të ndërtojnë karrierat e tyre në një botë të riformësuar nga inteligjenca artificiale, përmbysjet klimatike dhe trazirat politike – një botë që është shumë më e paqëndrueshme sesa mund t’i përgatisë për të cilado disiplinë e vetme. Nëse el-Biruni, Alhazeni, Avicena dhe el-Harizmi mundën t’i shndërronin skamjen, robërinë, patronazhin dhe paqëndrueshmërinë në mënyra të reja të të njohurit, atëherë gjerësia e njohurive është përgatitja e nevojshme për punën e jashtëzakonshme që i pret. /Telegrafi/

– Lexo po ashtu: Shkencëtari i madh mysliman i shekullit XI – el-Biruni

Lexo edhe

Incident në rrugën “UÇK” në Mitrovicë, një person përfundon në pranga

Incident në rrugën “UÇK” në Mitrovicë, një person përfundon në pranga

Oferta e Kurtit për PDK-në, Hamza: Marrëveshja për Bekim Sejdiun nuk është me ne

Oferta e Kurtit për PDK-në, Hamza: Marrëveshja për Bekim Sejdiun nuk është me ne

BB: Më 2026, ekonomia në Ballkanin Perëndimor pritet të përshpejtohet në 3.1%

BB: Më 2026, ekonomia në Ballkanin Perëndimor pritet të përshpejtohet në 3.1%