Prokuroria sot i kërkoi Gjykatës Themelore në Kumanovë që të dënojë me burgim të përjetshëm vrasësin serik nga Staro Nagoriçane, Trajko Bojkovski.
Ai akuzohet për katër vrasje dhe dy tentativa vrasjeje.
Prokurori Publik Ljubomir Lape tha se Bojkovski, i cili punonte si bari, në vend që të mbronte të pafuqishmit, ishte grabitqari i tyre. Ai zgjidhte gra të moshuara dhe beqare dhe i sulmonte ato.
“Provat tregojnë në mënyrë të padiskutueshme se Stançe Karevska, Janka Antevska, Marija Marinkovska dhe Mira Stankovska u vranë në të njëjtën mënyrë, me mbytje dhe presion në gjoks. Disa prej tyre kishin edhe lëndime në organet gjenitale, dhe gjurmë ADN-je nga i akuzuari u gjetën në dy nga viktimat dhe një nga të mbijetuarit”, tha Lape.
Bojkovski nuk e pranon vrasjen e Stançe Karevskës. Prokurori pretendon se gjatë dëshmisë së tij, ai dha detaje rreth kohës dhe mënyrës së ekzekutimit që përputheshin me gjetjet mjeko-ligjore. Avokatja e disa prej palëve të dëmtuara, Dragana Ilievska-Todoroviq, vlerësoi se provat e lidhin Bojkovskin edhe me vrasjen e Karevskës, të cilën ai vetëm sa nuk e pranon./Telegrafi/




