Një vajzë vetëm 14-vjeçare ka rrëfyer para Policisë se prej kohësh po ngacmohej seksualisht me fjalë nga një 60-vjeçar. Por ajo nuk ishte e vetmja që e denoncoi. Edhe një grua 40-vjeçare ka deklaruar se ishte përballur vazhdimisht me sjellje të ngjashme nga i njëjti person. Denoncimet kanë përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe ndalimin e të dyshuarit.

Ngjarja është raportuar të premten, më 6 nëntor 2026, rreth orës 19:50, në fshatin Medvec të Lipjanit.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se e mitura ka dhënë deklaratën e saj në praninë e përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale, duke pretenduar se ngacmimet verbale me natyrë seksuale kishin vazhduar prej një kohe.
Të njëjtin person e ka denoncuar edhe një grua 40-vjeçare, e cila ka pohuar se ngacmimet ndaj saj ishin të vazhdueshme.
Pas këtyre deklarimeve, Policia ka intervistuar të dyshuarin, A.M., rreth 60-vjeçar, i cili i ka mohuar pretendimet e të dyja ankuesve.
Për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, me vendim të së cilës është iniciuar procedura penale për veprën “Ngacmimi seksual”, ndërsa 60-vjeçari është dërguar në mbajtje.
Hetimet po vazhdojnë për verifikimin e pretendimeve dhe sqarimin e rrethanave të rastit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




