Sot u bënë 22 vjet nga tragjedia e 14 tetorit 2004, kur 15 maturantë të Gjimnazit “Abdyl Frashëri”, sot “Hamdi Berisha”, nga Malisheva, humbën jetën në një aksident tragjik në Fushë Arrëz të Shqipërisë, derisa po ktheheshin nga ekskursioni në shtetin amë.

Në fjalën e tij përkujtimore, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, e cilësoi këtë ditë si një nga më të dhimbshmet për komunën dhe vendin, duke shprehur solidaritetin institucional me familjet e maturantëve që humbën jetën në lulen e rinisë.
“Kjo është dita më e dhimbshme për të gjithë ne, si komunë e si vend. Ne, si institucione, jemi pranë jush, familje, sepse kemi humbur 15 maturantë në lulen e rinisë. Si komunë, do të përkujdesemi gjithmonë që ta kujtojmë këtë ngjarje të dhimbshme për të gjithë ne”, u shpreh Kastrati.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për institucionet shtetërore të Shqipërisë, veçanërisht për Bashkinë e Fushë Arrëzit dhe spitalin ushtarak, për ndihmën e dhënë për të mbijetuarit, organizimin e procesit të kthimit të trupave të viktimave dhe mbështetjen në ato momente të rënda.
Në përkujtim të kësaj ngjarjeje, e cila mbetet një nga tragjeditë më të rënda të Kosovës së pasluftës, sot u bënë homazhe dhe nderime në “Lëndinën e Lotëve” në Malishevë, ku prehen trupat e 15 maturantëve.
Krahas familjarëve, në homazhe morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, nënkryetari Vesel Krasniqi, drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëresha Krasniqi, drejtorë të drejtorive komunale, mësimdhënës, nxënës të Gjimnazit “Hamdi Berisha”, ish-gjimnazistë, ish-maturantë dhe qytetarë të shumtë.
Në aksidentin tragjik të 14 tetorit 2004 humbën jetën maturantët: Berat Suka, Esat Hajrullahu, Elgadaf Zabelaj, Mifail Morina, Rifat Hoxha, Xhevdet Sertolli, Visar Kafexholli, Agron Berisha, Ajet Rrahmanaj, Esat Rexhaj, Labinot Morina, Lulzim Kastrati, Megzon Sadiku, Rruhi Ulluri dhe Xhevdet Sahitaj.




