Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, kanë mbajtur konferencë për media lidhur me situatën e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet, duke ngritur shqetësime për kufizimin e orarit të depos në Mirash dhe ndikimin e tij në procesin e grumbullimit të mbeturinave.

Musmurati ka deklaruar se mbyllja e depos nga ora 21:00 deri në orën 07:00 po shkakton vonesa në punën e kompanisë “Pastrimi”, duke pamundësuar zbrazjen e kamionëve që mbledhin mbeturina gjatë natës. Ajo ka akuzuar institucionet e nivelit qendror për pengesa në menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, duke përmendur edhe mosnënshkrimin e një kredie prej 74 milionë eurosh për investime në këtë sektor.
“Për shtatë orë me radhë, kamionët e kompanisë ‘Pastrimi’, të cilët grumbullojnë mbeturina gjatë gjithë natës, nuk mund të zbrazin kamionët askund. Kjo shkakton vonesa të mëdha dhe ndikon drejtpërdrejt në defunksionalizimin e ndërrimit të natës. Problemi i mbylljes së depos, fatkeqësisht, nuk është problem i ri për ne. Ka vite me radhë që depoja, kur dëshiron, ta bllokojë pastrimin e kryeqytetit, thjesht mbyll derën e depos dhe nuk brengoset fare për pasojat”, ka deklaruar Musmurati.
Ajo ka pretenduar se mungesa e investimeve dhe kufizimet në funksionimin e depos po e vështirësojnë punën e Komunës së Prishtinës, duke paralajmëruar se komuna do të ndërmarrë veprime ligjore lidhur me këtë çështje.
“Të dashur qytetarë, ju tani e dini që prej 8 tetor 2024, e madje edhe më sot, Hekuran Murati qëllimisht nuk e nënshkruan fillimin e projektit me Bankën Zhvillimore Gjermane për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. Pra, Hekuran Murati qëllimisht nuk e nënshkruan kredinë prej 74 milionë eurosh, që mundëson blerjen e 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve, që mundëson krijimin e qendrave për riciklimin e mbeturinave dhe rritjen e kapaciteteve të mirëfillta për menaxhimin e mbeturinave. Pra, tash e dy vite, Prishtina bëhet peng për shkak të inateve të një partie politike dhe një ministri të papërgjegjshëm si Hekuran Murati”, ka thënë Musmurati.
Ajo ka shtuar se Komuna e Prishtinës është detyruar të themelojë një ndërmarrje të re lokale të pastrimit, duke paralajmëruar edhe kallëzim penal ndaj kryeshefit të kompanisë për menaxhimin e mbeturinave, Dardan Velisë.
“Për këtë arsye, Komuna e Prishtinës do të bëjë kallëzim penal ndaj Dardan Velisë, për mbylljen e qëllimshme të depos dhe për përgjegjësinë që e ka për pasojat që sjell kjo mbyllje. I siguroj të gjithë qytetarët e Prishtinës që askush nuk do të dëshpërohet asnjëherë dhe gjithmonë do të punojmë, të bëjmë zgjidhje alternative që nuk do të mund t’i bllokojë Albin Kurti me shokët e tij. Prishtina është e të gjithëve pa dallim dhe jeta në Prishtinë duhet të jetë funksionale dhe normale. Qytetarët nuk duhet të bëhen mish për top për inate partiake”, ka deklaruar ajo.
Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka thënë se situata me grumbullimin e mbeturinave është rënduar pas vendimit për kufizimin e orarit të depos në Mirash. Ai ka kërkuar nga kryeshefi i kompanisë “Pastrimi”, Dardan Velia, që të japë sqarime publike për vendimin, duke bërë të ditur se komuna ka dërguar kërkesa zyrtare për të marrë informacione shtesë.
“Kryeshefi i kësaj kompanie, Dardan Velia, duhet të japë përgjigje publike për këtë vendim, i cili pengon grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet. Menjëherë pas pranimit të njoftimit për kufizimin e orarit të depos në Mirash, kemi dërguar kërkesa zyrtare përmes emailit, duke kërkuar sqarime për këtë vendim. Deri më sot nuk kemi pranuar asnjë vendim zyrtar”, ka deklaruar Retkoceri.
Sipas tij, pavarësisht veprimeve të ndërmarra nga komuna, përfshirë themelimin e ndërmarrjes së re dhe ndryshimet e rregullores e marrëveshjeve të votuara në Kuvendin Komunal, përpjekjet për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave po përballen me pengesa.
“Pavarësisht të gjitha veprimeve që ka ndërmarrë Komuna e Prishtinës, nga themelimi i ndërmarrjes së re, ndryshimi i rregullores dhe marrëveshjeve që janë votuar në Kuvendin Komunal së fundi, ne vazhdojmë të përballemi me pengesa nga niveli qendror në përpjekjet tona për të përmirësuar menaxhimin e mbeturinave. Pas Hekuran Muratit, i cili ka bllokuar bashkëfinancimin prej 74 milionë eurosh me Bankën Gjermane për Zhvillim, të destinuar për përmirësimin e kapaciteteve të pastrimit, tani kryeshefi i KMDK-së, Dardan Velia, po kufizon qasjen në deponi ku duhet të shkarkohen mbeturinat e kryeqytetit”, ka thënë Retkoceri.
Ai i ka bërë thirrje Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që të ndërmarrë masa për të siguruar funksionimin e depos dhe të njoftojë komunën dhe qytetarët për vendimet lidhur me orarin.
“Prandaj, kërkojmë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që të marrë sa më shpejt masa lidhur me mbylljen e depos në orën 12:00 të natës dhe për këto masa të njoftohet Komuna e Prishtinës dhe qytetarët e saj. Qytetarët e Prishtinës nuk duhet ta paguajnë çmimin e përplasjeve politike. Sonte, në orën 12:00, kërkojmë që dyert e depos në Mirash të hapen për t’u larguar mbeturinat në kryeqytet. Në të kundërtën, veprimet tona nuk do të jenë më të njëjta”, ka deklaruar Retkoceri.
Drejtori i Shërbimeve Publike ka theksuar se komuna do të ndërmarrë veprime për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve dhe për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet e përfshira në proces.
“Si Drejtori e Shërbimeve Publike, do të ndërmarrim të gjitha masat për të garantuar shërbime të pandërprera për qytetarët. Prishtina nuk mund të mbetet në mbeturina për shkak të qëllimeve të caktuara politike. Qytetarët meritojnë një zgjidhje dhe ne do të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësi për secilin institucion që ka rol në këtë proces”, ka shtuar Retkoceri.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Musmurati dhe Retkoceri: Kufizimi i orarit të depos në Mirash po pengon grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




