Përdori inteligjencën artificiale dhe shpiku vendime gjyqësore – Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut përjashton avokaten rumune

Përdori inteligjencën artificiale dhe shpiku vendime gjyqësore – Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut përjashton avokaten rumune

Përdori inteligjencën artificiale dhe shpiku vendime gjyqësore – Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut përjashton avokaten rumune

Një avokate nga Rumania është ndëshkuar rëndë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) pasi është kapur duke përdorur mjete të Inteligjencës Artificiale (AI) për të gjeneruar dokumente ligjore, të cilat përmbanin citime të rreme, vendime inekzistente dhe referenca plotësisht të shpikura.

Sponsor 3M Express

Sipas njoftimit zyrtar të lëshuar nga Gjykata, presidenti i saj ka vendosur më 13 nëntor 2026 që ta përjashtojë avokaten rumune nga e drejta për të përfaqësuar apo asistuar palët para GJEDNJ-së për një periudhë prej dy vitesh, në bazë të Rregullit 44D të Rregullores së Gjykatës.

Skandali doli në dritë pasi dhoma që po shqyrtonte një lëndë ku ajo ishte si përfaqësuese vuri re se vëzhgimet dhe dokumentet e dorëzuara prej saj ishin plot me gabime trashanike juridike.

Në mesin e lëshimeve u zbuluan:

Citim i rasteve inekzistente (“të halucinuara” nga inteligjenca artificiale);

Krijim i paragrafëve fiktivë brenda vendimeve dhe raporteve reale të Gjykatës;

Përdorim i vendimeve ekzistuese që nuk kishin asnjë lidhje me argumentet e ngritura ose që binin hapur ndryshe nga ajo që mbrojtsja pretendonte.

Përballë provave, avokatja pranoi se kishte përdorur mjete të AI për të hartuar parashtresat, duke i cilësuar gabimet thjesht si “pasaktësi” dhe “lëshime në citim”. Megjithatë, trupi gjykues konstatoi se nuk bëhej fjalë për gabime të izoluara, por për një model të përsëritur gabimesh thelbësore që dëshmojnë mungesë totale të kontrollit.

Gjykata theksoi se avokatët kanë detyrimin ligjor dhe etik të veprojnë si profesionistë të arsyeshëm dhe të tregojnë kujdes të lartë profesional. Kjo nënkupton se çdo referencë e prodhuar nga inteligjenca artificiale duhet të verifikohet në mënyrë të pavarur dhe të kujdesshme përmes burimeve zyrtare, siç është baza e të dhënave e GJEDNJ-së (HUDOC), para se materialet të dorëzohen në gjykatë.

Sipas trupit gjykues, pretendimi i avokates se nuk i kishte kontrolluar mirë ishte një nënvlerësim, pasi rezultoi se nuk ishte bërë asnjë lloj kontrolli paraprak, ndonëse gabimet ishin aq të dukshme sa mund të kuptoheshin menjëherë përmes një kontrolli të thjeshtë në HUDOC.

GJEDNJ vlerësoi se sjellja e saj ka dëmtuar rëndë administrimin e drejtësisë, duke e detyruar Gjykatën të harxhojë kohë të çmuar për të verifikuar dokumentet e rreme, për të nisur procedimet disiplinore dhe për të shkëmbyer shkresa të shumta me palët dhe institucionet e vendit, përfshirë Dhomën Kombëtare të Avokatisë së Rumanisë dhe Dhomën e Avokatisë së Iașit.

Për shkak të këtyre rrethanave, Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për masën e jashtëzakonshme të përjashtimit prej dy vitesh, ndërsa vendimi është njoftuar zyrtarisht tek avokatja, qeveria rumune dhe palët e përfshira në proces.

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Sa rëndësi kanë Nvidia dhe Jensen Huang për ekonominë amerikane?

Sa rëndësi kanë Nvidia dhe Jensen Huang për ekonominë amerikane?

Anjeza për Sharrin: E kam shok, e dua me zemër (VIDEO)

Anjeza për Sharrin: E kam shok, e dua me zemër (VIDEO)

Mjekët e pensionuar në Zvicër ofrojnë këshilla shëndetësore falas, qytetarët mund të konsultohen pa pagesë

Mjekët e pensionuar në Zvicër ofrojnë këshilla shëndetësore falas, qytetarët mund të konsultohen pa pagesë

Përdori inteligjencën artificiale dhe shpiku vendime gjyqësore – Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut përjashton avokaten rumune | Momenti