Mjekë të pensionuar në Zvicër kanë vënë në dispozicion përvojën dhe njohuritë e tyre profesionale për të ofruar këshilla shëndetësore falas për qytetarët, përmes iniciativës “Café Med”, e cila po zgjerohet në disa qytete të vendit.

Nisma, e organizuar nga Akademia e Mjekësisë Njerëzore (Akademie Menschenmedizin), u mundëson pacientëve dhe familjarëve të tyre të diskutojnë drejtpërdrejt me specialistë të pensionuar për shqetësimet shëndetësore, diagnozat dhe mundësitë e trajtimit, pa pasur nevojë për pagesë apo termin paraprak.
Në këto takime marrin pjesë mjekë nga fusha të ndryshme, përfshirë kardiologjinë, onkologjinë, dermatologjinë, mjekësinë e përgjithshme dhe psikiatrinë, shkruan SRF.
Qytetarët mund të kërkojnë sqarime për sëmundjet kronike, efektet anësore të barnave dhe trajtimet e propozuara, si dhe të marrin ndihmë për të kuptuar më mirë vendimet mjekësore.
Megjithatë, shërbimi nuk zëvendëson konsultat e zakonshme mjekësore.
Mjekët nuk vendosin diagnoza, nuk përshkruajnë barna, nuk lëshojnë receta dhe nuk kryejnë ekzaminime, transmeton Telegrafi.
Qëllimi është t’u japin qytetarëve më shumë kohë për të diskutuar shqetësimet dhe për të marrë vendime të informuara për shëndetin e tyre.
Sipas raportimit të televizionit publik zviceran SRF, iniciativa është aktive edhe në kantonin e Ticinos, në Lugano dhe Bellinzona, ku çdo muaj qytetarët mund të përfitojnë nga këshillimet falas. Në këto takime marrin pjesë mesatarisht katër deri në shtatë persona gjatë një pasditeje.
Kërkesa për këtë shërbim është në rritje, ndërsa organizatorët thonë se synimi është të ofrohet një hapësirë ku pacientët mund të dëgjohen dhe të marrin përgjigje për pyetjet që shpesh nuk arrijnë t’i shtrojnë gjatë vizitave të zakonshme mjekësore. /Telegrafi/





