Porsche 924, vetura ikonike që në vitin 1979 ishte pjesë e eskortës policore gjatë vizitës së parë zyrtare të Mbretëreshës Elizabeth II në Emiratet e Bashkuara Arabe, është restauruar dhe rikthyer në pamjen e saj origjinale, pas gati pesë dekadash.

Modeli historik ishte vetura e parë sportive që iu bashkua flotës federale të policisë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u përdor për shoqërimin e Mbretëreshës Elizabeth II dhe bashkëshortit të saj, Princit Philip, gjatë vizitës në rajonin e Gjirit.
Kjo vizitë ishte një ngjarje e rëndësishme për Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat në atë kohë kishin vetëm shtatë vjet nga shpallja e pavarësisë.
Gjatë dekadave, Porsche 924 ka kaluar nëpër disa ndryshime estetike dhe është paraqitur në ngjyra të ndryshme, duke u larguar nga pamja me të cilën ishte bërë pjesë e historisë së policisë së vendit.
Megjithatë, në restaurimin e fundit, specialistët vendosën ta rikthenin në konfigurimin origjinal, duke ruajtur ngjyrat dhe dizajnin policor që kishte në vitin 1979.
Punimet u realizuan nga Porsche Centre Abu Dhabi dhe Al Ain, të cilët përveç rinovimit të plotë të veturës, rikrijuan edhe mbishkrimet policore të pikturuara me dorë. Për këtë pjesë u ruajt teknika tradicionale, pa përdorur ngjitëse moderne, në mënyrë që vetura të ruante sa më besnikërisht pamjen historike.
Pas përfundimit të restaurimit, Porsche 924 iu dorëzua Policisë së Abu Dhabit gjatë një ceremonie të organizuar në Muzeun Al Maqta.
Veturën historike publiku do të ketë mundësi ta shohë nga afër në festivalin “Icons of Porsche”, i cili do të mbahet në Dubai më 21 dhe 22 nëntor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




