Është i vetmi i dënuar dy herë, në dy raste të ndara nga kjo Gjykatë Speciale.

Dhe këtë, ish-presidenti Hashim Thaçi e quajti kryekëput politikë, e jo drejtësi.
Megjithatë, me buzëqeshje ironike e dëgjoi shpalljen e aktgjykimit, i cili këtij ia dha 1 vit e 5 muaj burg për tentim të pengimit të drejtësisë.
Në këtë rast nuk dihet ende nëse do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, prej ditës kur u dorëzua fletëarresti për rastin e dytë, më 5 dhjetor 2024. Nga Gjykata deklaruan se kjo varet nëse aktgjykimi me dënim prej 25 vjetësh për rastin e madh, për krime lufte, hyn në fuqi apo jo.
Megjithatë, me këtë çështje nuk merren më të bashkëakuzuarit e Thaçit.
Fadil Fazliut e Bashkim Smakajt, Gjykata vendosi që t’ua llogarisë kohën e kaluar në paraburgim, andaj, ani pse u dënuan me nga 12 muaj burg, do të marrin rrugë drejt Kosovës.
Hajredin Kuqi, që ishte pjesë e mbrojtjes së Kadri Veselit, mori dënim me kusht.
Përveç që do të vijnë në Kosovë, Smajkajt e Kilajt do t’iu kthehen edhe nga 50 mijë euro secilit që i dhanë si dorëzani. E edhe Fadil Fazliut 40 mijë që i dha për këtë punë.
Këtë vendim e mirëpriti prokurorja e specializuar, Kimberly West, duke premtuar se njësojë do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjitha rastet e pengimit të drejtësisë, për të garantuar ruajtjen e integritetit të procedurave.
Pretendimet e prokurorisë ishin se këta pesë bënë plane gjatë vizitave te Thaçi në qendrën e paraburgimit, nga korriku deri në tetor 2023, për të tentuar pengimin e disa dëshmitarëve përfshirë Bislim Zyrapin, Rrustem Mustafën e Sylejman Selimin që u paraqitën në rastin e parë të Thaçit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Për më shumë, ndiqeni kronikën:





