Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka kërkuar që Ligji për Gjykatën Speciale të zbatohet në plotni dhe pa përjashtime.

Në një postim të bërë sot në Facebook, deputeti tha se miratimi i ndryshimeve është arritje e madhe për mbrojtjen e UÇK-së, por edhe garantimin e drejtësisë, transmeton Klankosova.tv
“Miratimi i Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është një arritje e madhe për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për garantimin e drejtësisë. Ky është një vendim i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë duhet të respektohet.
Tani është koha që të gjithë, institucionet dhe qytetarët, t’i qëndrojmë fuqishëm prapa çdo neni të këtij ligji dhe të kërkojmë zbatimin e tij të plotë, pa përjashtime dhe pa ekuivoke.”
Tahiri tha se ligjet që dalin nga Kuvendi i Kosovës nuk janë çështje rekomandimesh, por detyrim, prandaj në rastin e Speciales, ligji duhet të zbatohet dhe nuk ka hapësirë për tërheqje.
“Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Gjykata Speciale është organ i krijuar mbi bazën e rendit juridik të Republikës së Kosovës, ndërsa Kuvendi është institucioni që ushtron pushtetin legjislativ. Ligjet që miraton Kuvendi nuk janë rekomandime dhe as çështje vullneti: ato janë detyrim dhe duhet të zbatohen.
Prandaj, nuk ka vend as për hezitim, as për tërheqje dhe as për dyshime. Kushdo që sot mendon se ky ligj mund të shpërfillet, me kohë do të bindet për të kundërtën. Ky ligj është miratuar dhe ne do të qëndrojmë deri në fund për zbatimin e tij të plotë. Kosova duhet të veprojë si shtet sovran, dhe do të veprojë si i tillë.” /Klankosova.tv




