Pas grevës së punëtorëve teknikë në shkollat e mesme të Prishtinës, grevës pritet t’i bashkohen edhe punëtorët teknikë të shkollave fillore, për shkak të mospagesës së pagave dhe vonesave në ekzekutimin e tyre, raporton Ekonomia Online.
Sipas njoftimit të Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave për pagesën e pagave dhe shlyerjen e obligimeve të mbetura.

Gjatë vizitës në shkollën fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë, u tentua të merren pamje nga brenda objektit shkollor, por kjo nuk u lejua. Po ashtu, nuk u konfirmua nëse greva ka nisur edhe në këtë institucion, prandaj situata e punëtorëve teknikë në këtë shkollë mbetet e paqartë.
Ndërkohë, sindikata ka paralajmëruar protestë para objektit të Komunës së Prishtinës, të premten, më 16 tetor, nga ora 11:00 deri në 12:00. Në protestë pritet të marrin pjesë punëtorët teknikë dhe punëtorët e sigurimit fizik të Qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, të cilët, sipas sindikatës, kanë mbetur pa paga./EO
Burimi: Dukagjini




