Ka nisur procesi për zgjedhjen e pasardhësit të Guy Parmelin në Këshillin Federal të Zvicrës, pasi ai ka njoftuar largimin nga qeveria në fund të vitit 2026.
Parmelin do të largohet nga detyra më 31 dhjetor 2026, pas më shumë se një dekade në Këshillin Federal.
Ai është anëtar i qeverisë zvicerane që nga viti 2016 dhe aktualisht drejton Departamentin Federal të Ekonomisë, Arsimit dhe Kërkimit. Largimi i tij hap garën për një nga shtatë vendet në Këshillin Federal.
Partia Popullore Zvicerane (SVP/UDC) ka nisur procesin e përzgjedhjes së kandidatit. Kandidatët potencialë kanë afat deri më 23 tetor për të deklaruar interesimin.
Partia pritet të përcaktojë kandidaturën ose kandidaturat e saj më 20 nëntor, ndërsa Parlamenti zviceran do të votojë më 9 dhjetor.
Në mesin e emrave të përmendur si kandidatë të mundshëm janë Céline Amaudruz, Esther Friedli, Natalie Rickli, Yvan Pahud dhe Nicolas Kolly.
Brenda SVP-së ka gjithashtu presion që këtë herë të propozohet një grua për postin në Këshillin Federal.
Parmelin, 66 vjeç, është president i Konfederatës Zvicerane gjatë vitit 2026. Në sistemin zviceran, presidenti zgjidhet për një mandat njëvjeçar nga shtatë anëtarët e Këshillit Federal dhe nuk ka kompetenca më të mëdha ekzekutive se kolegët e tij.
Më 9 dhjetor, Asambleja Federale pritet të zgjedhë gjithashtu presidentin dhe nënkryetarin e Konfederatës për vitin 2027./Telegrafi/




