Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka deklaruar se nuk ka besim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke kritikuar mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes një reagimi publik, OVL UÇK ka thënë se mënyra e drejtimit të këtij procesi ka shkatërruar çdo fije besimi në profesionalizmin dhe paanshmërinë e gjykatës.
Sipas organizatës, asnjë aktgjykim i Dhomave të Specializuara nuk mund ta ndryshojë të vërtetën historike të Luftës Çlirimtare.
“Le ta kuptojnë të gjithë, këto goditje nuk na dobësojnë, nuk na frikësojnë dhe nuk na zmbrapsin. Na bëjnë më të vendosur, më të bashkuar, më të fortë”, thuhet në reagim.
OVL UÇK ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk duhet të jetë në bankën e të akuzuarve të historisë, por se ajo qëndron në themelet e lirisë së Kosovës.





